Rama paralajmëron platformë të re dialogu me qytetarët: Përgjigje ligjore ndaj kërcënimeve dhe dhunës

05 Nov 2026 • 17:44
Shpërndaje:

Kryeministri Edi Rama ka njoftuar hapjen e një platforme të re komunikimi me qytetarët, e cila do të mundësojë ndërveprimin e drejtpërdrejtë me të dhe me qeverinë për çështje të ndryshme me interes publik.

Gjatë konferencës së përbashkët për mediet me ambasadoren e Bashkimit Evropian, Sofia Moreira de Sousa, me rastin e dorëzimit të progresraportit të Komisionit Evropian, Rama bëri të ditur se platforma do të jetë e aksesueshme duke nisur nga dita e nesërme.

Sipas kryeministrit, nisma synon të krijojë një hapësirë të re dialogu, veçanërisht për studentët dhe qytetarët që dëshirojnë të adresojnë shqetësimet e tyre pranë institucioneve qeveritare.

Reklamë Ola

“Nesër ne do të ndezim një tjetër dritare në ekranet e kujdo që është i interesuar, që është një dritare e dialogut”, deklaroi Rama, duke theksuar se përmes saj do të mund të komunikojnë të gjithë ata që kërkojnë të ndërveprojnë me qeverinë.

Kryeministri u ndal veçanërisht te pretendimet për kërcënime dhe presione ndaj studentëve që kanë shprehur interes për të zhvilluar takime me të.

Reklamë InterMedika

Sipas Ramës, tre grupe studentësh janë penguar të marrin pjesë në takime të kërkuara prej tyre, si pasojë e presioneve dhe bullizimit në rrjetet sociale dhe jashtë tyre.

“Tre grupe studentësh janë kthyer mbrapsht me dhunë, online dhe offline, në përpjekjen e tyre për të ardhur në takim me mua pa kamera, pa foto, pa njoftim shtypi, thjesht për të biseduar”, u shpreh ai.

Rama pretendoi se identitetet e studentëve ishin bërë publike dhe se ata ishin përballur më pas me intimidim dhe bullizim. Ai i cilësoi përgjegjësit e këtyre veprimeve si “pseudostudentë”.

Duke iu referuar përvojës së tij si student dhe pedagog, kryeministri theksoi rëndësinë e lirisë së shprehjes dhe të drejtës për të zhvilluar dialog pa u përballur me kërcënime.

Ai paralajmëroi se ndaj personave që ushtrojnë presion, kërcënime apo dhunë do të ndërmerren masa ligjore, përfshirë procedime penale dhe administrative, sipas rasteve.

“Kush mendon se me frikën, me trembjen, me kërcënimin, me dhunën do të ketë impaktin më të vogël mbi mua dhe mbi rrugëtimin tonë, i ka bërë të gjitha llogaritë gabim”, deklaroi Rama.

Kryeministri iu referua gjithashtu incidenteve gjatë protestave, duke kritikuar sulmet ndaj punonjësve të policisë dhe bllokimin e rrugëve.

Sipas tij, ushtrimi i së drejtës për të protestuar nuk duhet të cenojë lirinë e lëvizjes dhe të drejtat e qytetarëve të tjerë.

Rama theksoi se institucionet do të reagojnë ndaj veprimeve që përbëjnë shkelje të ligjit, ndërsa platformën e re të komunikimit e paraqiti si një mundësi për të nxitur dialogun e drejtpërdrejtë mes qytetarëve dhe qeverisë.