Kremlini vë në pikëpyetje pjesëmarrjen e Evropës në negociatat për paqen në Ukrainë

24 Nov 2026 • 20:20
Shpërndaje:

Rusia nuk sheh ende një vlerë të shtuar nga përfshirja e përfaqësuesve evropianë në raundin e ardhshëm të negociatave për përfundimin e luftës në Ukrainë, deklaroi sot zëdhënësi i Kremlinit, Dmitry Peskov.

Sipas agjencisë shtetërore ruse të lajmeve TASS, Peskov bëri të ditur se takimi i ardhshëm ndërmjet Rusisë, Ukrainës dhe Shteteve të Bashkuara do të zhvillohet në Abu Dabi, megjithëse ende nuk është përcaktuar një datë.

“Ka këndvështrime të ndryshme. Siç e dini, evropianët këmbëngulin që bisedimet të zhvillohen në një format katërpalësh. Ne ende nuk e kuptojmë plotësisht se çfarë vlere të shtuar do të sillte pjesëmarrja e evropianëve dhe çfarë kontributi shtesë mund të jepnin në përpjekjet për paqe”, deklaroi Peskov.

Reklamë Ola

Javën e kaluar, udhëheqja ruse deklaroi se përfaqësuesit evropianë duhet fillimisht të paraqesin propozimet e tyre në Moskë.

Deri më tani, vendet evropiane janë përfshirë në mënyrë të tërthortë në negociatat për përfundimin e luftës në Ukrainë, kryesisht përmes koordinimit diplomatik me Kievin dhe Uashingtonin.

Reklamë InterMedika

Vendet evropiane kanë rënë dakord që Gjermania, Franca, Italia, Polonia dhe Britania e Madhe, së bashku me përfaqësuesit e institucioneve të Bashkimit Evropian, të përfaqësojnë Evropën në procesin e negociatave.

Deklaratat e Kremlinit pasqyrojnë vazhdimin e mosmarrëveshjeve ndërmjet Moskës dhe vendeve evropiane mbi formatin e bisedimeve dhe rolin e Evropës në procesin e paqes.