SHBA, Izraeli dhe Libani nënshkruajnë marrëveshje kuadër drejt paqes, Hezbollah e refuzon dhe paralajmëron luftë civile
Sekretari amerikan i Shtetit, Marco Rubio, së bashku me ambasadorët e Izraelit dhe Libanit në Shtetet e Bashkuara, njoftuan të premten arritjen e një marrëveshjeje kuadër, e cila u cilësua si hapi i parë drejt një paqeje të qëndrueshme mes dy vendeve pas muajsh përleshjesh mes Izraelit dhe grupit militant Hezbollah.
Marrëveshja u nënshkrua në Uashington nga ambasadori izraelit Yechiel Leiter dhe ambasadorja libaneze Nada Hamadeh, në prani të sekretarit Rubio. Zyrtarët nuk zbuluan detaje konkrete të dokumentit, ndërsa Hezbollah nuk ka qenë pjesë e negociatave.
Ambasadorja e Libanit, Nada Hamadeh, deklaroi se marrëveshja përfaqëson “hapin e parë drejt rikthimit të sovranitetit dhe integritetit territorial të Libanit, sigurimit të një armëpushimi të përhershëm dhe krijimit të kushteve që qytetarët të rikthehen në shtëpitë e tyre dhe të jetojnë në paqe, siguri dhe mirëqenie”.
Nga ana tjetër, ambasadori izraelit Yechiel Leiter tha se objektivi përfundimtar i marrëveshjes është paqja mes dy shteteve.
“Paqe e vërtetë, ku sovraniteti i Izraelit dhe Libanit do të respektohet dhe mbrohet. Në këtë marrëveshje trepalëshe, Irani dhe Hezbollah mbeten jashtë. Kjo është rruga drejt paqes mes Izraelit dhe Libanit”, deklaroi ai.
Konflikti i fundit nisi pasi Hezbollah lëshoi raketa drejt Izraelit pak ditë pas nisjes së operacioneve ushtarake të Izraelit dhe SHBA-së kundër Iranit më 28 shkurt. Më pas Izraeli ndërmori operacione tokësore në Liban dhe zgjeroi kontrollin e tij në jug të vendit.
Negociatat mes Izraelit dhe Libanit u zhvilluan veçmas nga marrëveshja e ndërmjetësuar mes SHBA-së dhe Iranit për ndërprerjen e luftimeve, e cila parashikon një periudhë 60-ditore negociatash për çështje kyçe, përfshirë programin bërthamor iranian.
Qeveria libaneze kishte refuzuar që Irani të negocionte në emër të saj dhe nisi bisedime të drejtpërdrejta me Izraelin. Megjithatë, disa marrëveshje armëpushimi të arritura më herët nuk u zbatuan kurrë plotësisht në terren.
Reagimi i Hezbollahut ishte i menjëhershëm. Deputeti i grupit parlamentar të organizatës, Hassan Fadlallah, deklaroi për televizionin Al-Mayadeen se grupi nuk do të pranojë negociata të drejtpërdrejta me Izraelin dhe nuk do të dorëzojë armët.
Sipas tij, autoritetet libaneze “nuk do të jenë në gjendje ta zbatojnë marrëveshjen e nënshkruar në Uashington, përveçse nëse vendi shkon drejt një lufte civile me mbështetjen amerikane”. Ai e cilësoi marrëveshjen gjithashtu si një përpjekje për të minuar procesin negociues mes SHBA-së dhe Iranit.
Presidenti i Libanit, Joseph Aoun, falënderoi administratën amerikane dhe ekipin negociator libanez, duke e cilësuar marrëveshjen si “hapin e parë” drejt kthimit të qytetarëve të zhvendosur në shtëpitë e tyre dhe rikthimit të sovranitetit të plotë të shtetit libanez.
Ai nuk dha detaje mbi përmbajtjen e marrëveshjes. Sipas të dhënave zyrtare, më shumë se 4 mijë persona janë vrarë në Liban nga sulmet izraelite që prej muajit mars, ndërsa të paktën 37 ushtarë izraelitë kanë humbur jetën gjatë luftimeve në Liban dhe në veri të Izraelit.
Ndërkohë, kryeministri izraelit Benjamin Netanyahu e cilësoi marrëveshjen si një “arritje të madhe” për Izraelin.
“Ajo që ka më shumë rëndësi është se Izraeli do të vazhdojë të qëndrojë në zonën e sigurisë në jug të Libanit. Do të mbetemi aty për aq kohë sa Hezbollah të mos jetë çarmatosur dhe të mos përbëjë më kërcënim për Izraelin”, deklaroi Netanyahu.
Ai bëri të ditur se Izraeli do të lejojë ushtrinë libaneze të marrë gradualisht kontrollin e disa territoreve përmes krijimit të dy “zonave pilot”, njëra në jug të lumit Litani dhe tjetra në veri të tij, ndërsa tërheqja e trupave izraelite do të kushtëzohet nga çarmatimi i Hezbollahut.
Nga ana tjetër, presidenti Aoun kishte deklaruar më herët se propozimi për krijimin e këtyre zonave pilot është ende në diskutim dhe pret miratimin e Izraelit.







