×
Friday, June 26, 2026

Helmimi i kursantëve në Akademinë e Sigurisë, Salla: Ambientet janë izoluar, presim analizat për të përcaktuar shkakun

June 26, 2026


Ministri i Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural, Andis Salla, deklaroi se institucionet kanë marrë të gjitha masat pas rastit të helmimit të rreth 60 kursantëve të Akademisë së Sigurisë në Sauk, ndërsa priten rezultatet e analizave laboratorike për të përcaktuar shkakun e ngjarjes.

Gjatë një konference të përbashkët për shtyp me ministrin e Bujqësisë, Pylltarisë dhe Zhvillimit Rural të Kosovës, Armend Muja, Salla bëri të ditur se ambientet e Akademisë janë izoluar, ndërsa rasti po hetohet nga Policia e Shtetit dhe institucionet përgjegjëse.

“Kemi marrë të gjitha masat për të izoluar dhe bllokuar ambientet në Akademi. Çështja po ndiqet nga Policia e Shtetit dhe organet e tjera ligjzbatuese për të vënë para drejtësisë përgjegjësit”, u shpreh ministri.

Salla theksoi se nga hetimet e rastit të parë nuk rezultoi se helmimi ishte shkaktuar nga ushqimi.

“Në helmimin e parë nuk kemi pasur helmim prej ushqimeve, por prej higjienës dhe këtë e kanë treguar analizat. Do të presim analizat e sotme për të vërtetuar nga vjen shkaku dhe ku është problematika që duhet parandaluar nëpërmjet AKU-së”, deklaroi ai.

Ky është rasti i dytë brenda më pak se dy muajsh në Akademinë e Sigurisë, ku dhjetëra kursantë kanë shfaqur simptoma helmimi. Autoritetet kanë nisur hetimet dhe presin rezultatet laboratorike për të përcaktuar shkakun e saktë të ngjarjes.




Comments are closed.