×
Friday, June 26, 2026

Media italiane: Shqipëria mes ndikimit të Italisë dhe Turqisë në prag të samitit të NATO-s

June 26, 2026


Në prag të samitit të NATO-s, mediat italiane analizojnë rolin strategjik të Shqipërisë në krahun jugor të Aleancës, duke e cilësuar vendin si një pikë kyçe të rivalitetit të ndikimit mes Italisë dhe Turqisë.

Sipas analizës, Italia e ka konsideruar tradicionalisht Shqipërinë si zgjatim natyror të Adriatikut dhe një partner strategjik, ndërsa Turqia e presidentit Recep Tayyip Erdogan e sheh vendin si pjesë të projeksionit të saj gjeopolitik në Ballkan, përmes lidhjeve historike, fetare, ekonomike dhe ushtarake.

Artikulli ndalet edhe te periudha e sundimit osman dhe ndikimi që, sipas autorit, ka vazhduar edhe pas pavarësisë së Shqipërisë përmes investimeve ekonomike, ndërtimit të objekteve fetare dhe bashkëpunimit në fushën e mbrojtjes. Në këtë kuadër përmendet blerja nga Shqipëria e dronëve turq Bayraktar TB2, si dhe trajnimet e personelit ushtarak shqiptar nga instruktorë turq.

Sipas analizës, Turqia po përpiqet të forcojë ndikimin e saj në Shqipëri edhe përmes instrumenteve të ashtuquajtur të “fuqisë së butë”, ndërsa Italia mbetet partneri tradicional i vendit, veçanërisht pas bashkëpunimit në menaxhimin e emigracionit dhe marrëveshjes mes dy qeverive për qendrat e emigrantëve.

Media italiane thekson se në samitin e ardhshëm të NATO-s, Shqipëria do të paraqitet si një aleate besnike e Aleancës, por paralajmëron se nëse Perëndimi nuk do të angazhohet më shumë në rajon, Turqia mund të zgjerojë më tej ndikimin e saj në Ballkan.

Sipas autorit, Italia duhet të forcojë bashkëpunimin strategjik me Shqipërinë përtej çështjes së emigracionit, në mënyrë që të mos krijohen boshllëqe gjeopolitike që mund të shfrytëzohen nga aktorë të tjerë rajonalë.




Comments are closed.