×
Saturday, June 27, 2026

Arrestime masive dhe kufizime ndaj mediave në Turqi para samitit të NATO-s, ngrihen shqetësime për lirinë e shtypit

June 26, 2026


Autoritetet turke kanë ndërmarrë një valë arrestimesh, kanë ndaluar protestat dhe kanë kufizuar lirinë e medias në prag të samitit të NATO-s që do të mbahet më 7-8 korrik në Ankara, duke nxitur kritika nga organizatat për të drejtat e njeriut dhe lirinë e shtypit.

Sipas raportimeve, policia turke arrestoi të martën 225 persona, mes tyre akademikë, mësues dhe aktivistë, nën dyshimin për lidhje me grupe militante, përfshirë edhe Shtetin Islamik. Mes të ndaluarve ishte edhe një aktivist 79-vjeçar i mjedisit.

Ndërkohë, autoritetet e Ankarasë kanë ndaluar tubimet publike, konferencat për shtyp, provimet dhe vendosjen e posterave duke nisur nga kjo fundjavë. Për garantimin e sigurisë gjatë samitit janë angazhuar rreth 40 mijë efektivë policie.

Paralelisht, dhjetëra gazetarëve të mediave të pavarura turke u është refuzuar pa shpjegime akreditimi për të mbuluar samitin. Sipas Institutit Ndërkombëtar të Shtypit (IPI), një pjesë e gazetarëve të refuzuar punojnë për media që kanë mbajtur qëndrime kritike ndaj presidentit Recep Tayyip Erdogan.

Zëdhënësja e NATO-s, Allison Hart, deklaroi se aleanca mbështetet te vlerësimet e shtetit pritës për akreditimin e gazetarëve, por shtoi se NATO është në kontakt me autoritetet turke dhe se e konsideron të rëndësishme praninë e mediave në aktivitetet e saj.

Megjithatë, organizatat për lirinë e shtypit kanë kritikuar NATO-n, duke argumentuar se nuk duhet të shmangë përgjegjësinë për respektimin e standardeve demokratike. IPI dhe 14 organizata të tjera i kanë dërguar një letër sekretarit të përgjithshëm të NATO-s, Mark Rutte, duke kërkuar rishqyrtimin e akreditimeve.

Edhe organizata Human Rights Watch i bëri thirrje NATO-s të mos tolerojë masat represive të autoriteteve turke në prag të samitit.

Burime diplomatike të NATO-s kanë pranuar se zhvillimet në Turqi po ndiqen me shqetësim dhe se samiti nuk duhet të përdoret si justifikim për goditjen e shoqërisë civile.

Sipas organizatës Reporterët pa Kufij, Turqia renditet në vendin e 163-të nga 180 vende në indeksin botëror të lirisë së shtypit, pozicioni më i ulët mes të gjitha vendeve anëtare të NATO-s.




Comments are closed.