Kuvendi përkujton 82-vjetorin e gjenocidit ndaj shqiptarëve të Çamërisë, thirrje për drejtësi dhe mbajtjen gjallë të kujtesës
Kuvendi i Shqipërisë organizoi sot një veprimtari përkujtimore me rastin e 82-vjetorit të gjenocidit ndaj shqiptarëve të Çamërisë, me nismën e deputetëve Ardit Bido, Mesila Doda dhe Brunilda Haxhiu, në bashkëpunim me Shoqatën Patriotike “Çamëria”.
Në aktivitet morën pjesë deputetë, studiues, përfaqësues të komunitetit çam, si dhe personalitete të jetës publike dhe akademike. Veprimtaria u hap me himnin kombëtar dhe një minutë heshtje në nderim të viktimave, ndërsa më pas u shfaq dokumentari “Nuk të harroj Çamëri”, me dëshmi të të mbijetuarve të masakrave.
Deputetja Mesila Doda theksoi rëndësinë e përkujtimit të 27 qershorit si dita e gjenocidit ndaj shqiptarëve të Çamërisë, duke e cilësuar rezolutën për Çamërinë të miratuar në vitin 2013 si një moment të rëndësishëm për këtë kauzë. Ajo kërkoi gjithashtu heqjen e ligjit të luftës nga Greqia dhe theksoi se çdo qeveri shqiptare ka detyrimin ta trajtojë çështjen çame në marrëdhëniet me shtetin fqinj.
Kryetari i Shoqatës Patriotike “Çamëria”, Liljan Idrizaj, u shpreh se kauza çame është një çështje dinjiteti kombëtar dhe bëri thirrje që historia të trajtohet me vërtetësi, pa frymë viktimizimi.
Deputeti Ardit Bido deklaroi se çështja çame nuk është kundër Greqisë, por lidhet me të drejtat e njeriut, pronën, kujtesën historike dhe dinjitetin. “Ne nuk kërkojmë hakmarrje, kërkojmë kujtesë. Nuk kërkojmë armiqësi, kërkojmë drejtësi”, u shpreh ai.
Deputetja Brunilda Haxhiu foli për vuajtjet e shqiptarëve të Çamërisë dhe masakrat e kryera ndaj tyre, ndërsa përfaqësues të Shoqatës “Çamëria” dhe studiues, mes tyre Marenglen Kasmi, trajtuan aspektet historike dhe shkencore të kësaj çështjeje.
Në përfundim, pjesëmarrësit kërkuan respektimin e të drejtave të shqiptarëve të Çamërisë dhe trajtimin e kauzës me dinjitet e seriozitet. Aktiviteti u mbyll me vallen tradicionale “Osman Taka” dhe vizitën në një ekspozitë fotografike kushtuar figurave të shquara të krahinës së Çamërisë.







