Serbia pritet të mos harmonizohet me deklaratën përfundimtare të Samitit të Bashkimit Europian dhe Ballkanit Perëndimor, që do të zhvillohet më 25 nëntor në Bruksel, për shkak të mungesës së ushtruesit të detyrës së presidentit dhe kryetarit të Kuvendit të Serbisë, Aleksandar Çupiq.
Sipas zyrtarëve të lartë europianë të përfshirë në përgatitjet e samitit, deklarata përfundimtare nënvizon se glorifikimi i kriminelëve të luftës, mohimi i gjenocidit dhe revizionizmi historik nuk përputhen me vlerat themelore të Bashkimit Europian. Vendeve të rajonit u kërkohet të respektojnë të gjitha viktimat dhe vendimet e gjykatave ndërkombëtare e vendore për krimet e luftës.
Diplomatët në Bruksel kanë shprehur mirëkuptim për mungesën e përfaqësuesit serb, duke marrë parasysh tranzicionin politik në Beograd pas zgjedhjeve parlamentare të 25 tetorit.
Presidenti i Këshillit Europian, António Costa, ka zhvilluar një bisedë telefonike me Çupiqin, i cili e ka argumentuar mungesën e tij me zhvillimet urgjente në Kuvendin e Serbisë. Palët kanë rënë dakord të takohen në mundësinë e parë, për të diskutuar mbi perspektivën europiane të Serbisë, luftën kundër korrupsionit dhe sundimin e ligjit.
“Në përgjithësi, marrëdhëniet me qeverinë dhe autoritetet e ardhshme serbe i shohim me shumë optimizëm”, deklaroi një zyrtar i BE-së.
Megjithatë, Brukseli pritet të ruajë të njëjtat kërkesa ndaj udhëheqjes së re serbe, duke përfshirë forcimin e sundimit të ligjit, lirinë e mediave, harmonizimin me politikën e jashtme dhe të sigurisë së BE-së, si dhe përparimin në dialogun për normalizimin e marrëdhënieve me Kosovën.
Sipas të dhënave të BE-së, Serbia vazhdon të ketë nivelin më të ulët të harmonizimit me politikën e jashtme europiane në rajon, me rreth 59%. Ndërkohë, hapja e grupkapitullit të tretë të negociatave të anëtarësimit mbetet e bllokuar për shkak të mungesës së konsensusit ndërmjet vendeve anëtare.
Sa i përket dialogut Kosovë–Serbi, Bashkimi Europian pritet të presë formimin e institucioneve të reja në Beograd përpara organizimit të një takimi të nivelit të lartë. Përfaqësuesja e lartë e BE-së për Politikën e Jashtme dhe Sigurinë, Kaja Kallas, ka shprehur gatishmërinë për të rifilluar takimet, por zyrtarët europianë theksojnë nevojën për partnerë të qëndrueshëm institucionalë.
Në projektdeklaratën përfundimtare të samitit theksohet se mungesa e përparimit në normalizimin e marrëdhënieve ndërmjet Kosovës dhe Serbisë ngadalëson procesin e integrimit europian të të dyja vendeve.
Udhëheqësit europianë pritet të kërkojnë zbatimin e të gjitha marrëveshjeve të arritura në kuadër të dialogut, duke nënvizuar se përfitimi i fondeve nga Plani i Rritjes për Ballkanin Perëndimor kushtëzohet me një angazhim konstruktiv në këtë proces.
Ky do të jetë samiti i dytë radhazi në Bruksel pa përfaqësimin e Serbisë. Në dhjetor të vitit të kaluar, presidenti i atëhershëm Aleksandar Vuçiq bojkotoi takimin në shenjë kundërshtimi ndaj moshapjes së grupkapitullit të tretë të negociatave, ndërsa Serbia nuk iu bashkua deklaratës përfundimtare.


