Presidentja e Komisionit Evropian, Ursula von der Leyen, i bëri thirrje Rusisë të pranojë një armëpushim dimëror për infrastrukturën energjetike të Ukrainës, si dhe një marrëveshje për garantimin e transportit të sigurt të produkteve ushqimore përmes Detit të Zi.
Gjatë një debati në Parlamentin Evropian në Strasburg, von der Leyen deklaroi se pranimi i këtyre kushteve nga presidenti rus, Vladimir Putin, do të dëshmonte seriozitetin e Moskës në negociatat e paqes, raporton POLITICO.
Propozimet janë diskutuar gjatë takimit të javës së kaluar të “Koalicionit të Vullnetarëve”, ku u shqyrtua qëndrimi evropian ndaj negociatave të paqes ndërmjet Ukrainës dhe Rusisë, të ndërmjetësuara nga presidenti amerikan, Donald Trump.
Von der Leyen theksoi se Komisioni Evropian po punon për forcimin e pozicionit negociues të Kievit, përmes intensifikimit të sanksioneve ndaj Moskës dhe sigurimit të mbështetjes financiare për Ukrainën.
Komisioni Evropian propozoi të hënën paketën e 22-të të sanksioneve kundër Rusisë, e cila përfshin ndalimin e transaksioneve me banka të tjera ruse, kufizime ndaj kompanive evropiane që ndihmojnë zhvillimin ose mirëmbajtjen e infrastrukturës energjetike ruse, si dhe ndalimin e vizave për pjesëtarët aktualë dhe ish-pjesëtarët e forcave të armatosura ruse.
Paketa parashikon gjithashtu ndalimin e pjesëmarrjes së shtetasve evropianë në organet drejtuese të kompanive ruse.
Sipas presidentes së Komisionit Evropian, sanksionet po dobësojnë themelet ekonomike të luftës së Rusisë, ndërsa një sërë treguesish sinjalizojnë përkeqësimin e perspektivës ekonomike të vendit.
“Strategjia jonë ka dy drejtime: së pari, mbështetje maksimale për Ukrainën, e kombinuar me presion maksimal ndaj Rusisë. Së dyti, angazhim i plotë evropian në negociatat për një paqe të qëndrueshme”, deklaroi von der Leyen.
Ajo nënvizoi gjithashtu rëndësinë e mbështetjes financiare evropiane në procesin e negociatave, duke prezantuar strukturën e re të huadhënies për mbulimin e nevojave të Ukrainës gjatë vitit 2027, ku përfshihen 45 miliardë euro nga Bashkimi Evropian.
“Një ekip i fuqishëm evropian do të marrë pjesë në raundin e ardhshëm të negociatave. Përparimin do ta vlerësojmë mbi bazën e veprimeve të Rusisë, jo thjesht të fjalëve të saj”, përfundoi von der Leyen.


