Serbët e Kosovës udhëtojnë për të votuar në Serbi: Presim paqe dhe stabilitet

25 Oct 2026 • 17:23
Shpërndaje:

Serbët nga veriu i Kosovës po udhëtojnë drejt komunave kufitare të Serbisë për të votuar në zgjedhjet e parakohshme parlamentare të së dielës, më 25 tetor. Qytetarë të intervistuar nga Radio Evropa e Lirë thonë se presin një të ardhme më të mirë, paqe dhe mbështetje nga Beogradi.

Bojani nga Mitrovica e Veriut shprehet se pret që institucionet serbe të kujdesen për komunitetin serb në Kosovë.

“Vetëm të kalojë gjithçka pa probleme”, thotë ai.

Reklamë Ola

Për Draganën, po nga Mitrovica e Veriut, dita e votimit ka nisur në orën katër të mëngjesit, për të udhëtuar me transport të organizuar drejt Rashkës.

“Jam e lodhur, nuk e di çfarë të pres. Jeta jonë [në Kosovë] është hiç, e çfarë pres, nuk di të të them”, shprehet ajo për REL-in.

Reklamë InterMedika

Ndërsa Zorani nga Leposaviqi tregon se ka pritur gjatë në kufi për të votuar. Ai shpreson që zgjedhjet të sjellin përmirësim të jetës së tyre.

“Shpresoj që për ne të jetë më mirë. Që në zgjedhjet e ardhshme të votoj në Leposaviq e jo këtu”, thotë ai.

Nga rreth 6,45 milionë qytetarë të regjistruar në listën zgjedhore të Serbisë, mbi 115 mijë kanë adresa në Kosovë. Ata mund të votojnë në 60 vendvotime të shpërndara në katër komuna pranë kufirit: Vranjë, Rashkë, Tutin dhe Kurshumli.

Transporti drejt qendrave të votimit bëhet në mënyrë të organizuar, një praktikë e ndjekur edhe në zgjedhjet e mëparshme. Një qytetare i kishte deklaruar më herët REL-it se udhëtimin e organizon Lista Serbe, partia kryesore e serbëve të Kosovës, e cila mbështetet nga Beogradi.

Komuniteti serb në Kosovë vijon të mbështetet te institucionet dhe financimet e Serbisë. Në zonat e banuara me serbë funksionojnë institucione arsimore dhe shëndetësore sipas sistemit serb, të financuara nga buxheti i Serbisë. Institucione të tjera janë mbyllur nga autoritetet kosovare, të cilat i kanë cilësuar paralele dhe të paligjshme, ndërsa një pjesë e shërbimeve është zhvendosur në qytetet kufitare të Serbisë.

Votimi jashtë Kosovës nisi më 2022, pasi autoritetet kosovare nuk lejuan hapjen e vendvotimeve për zgjedhjet e organizuara nga Beogradi.

Zgjedhjet e fundit parlamentare serbe me vendvotime në Kosovë u mbajtën më 21 qershor 2020. Në atë kohë, misioni i OSBE-së mblidhte votat, ndërsa fletëvotimet numëroheshin më pas në Rashkë dhe Vranjë.

Qeveria e udhëhequr nga Albin Kurti e ndërpreu këtë praktikë, duke kërkuar që Serbia t’i drejtohej drejtpërdrejt institucioneve të Kosovës për organizimin e votimit, pa ndërmjetësimin e OSBE-së.

Beogradi e ka refuzuar këtë kërkesë, me pretendimin se një veprim i tillë do të nënkuptonte njohjen e pavarësisë së Kosovës. Ndërkohë, bashkësia ndërkombëtare i ka bërë disa herë thirrje Prishtinës të gjejë një zgjidhje që t’u mundësojë qytetarëve të votojnë në zgjedhjet e Serbisë.