Gaz lotsjellës në Bruksel, arrestime në protestat në Portugali

25 Oct 2026 • 17:56
Shpërndaje:

Protestat kundër politikave qeveritare, financimit të pamjaftueshëm të arsimit dhe kostos së strehimit kanë nxjerrë qytetarët në rrugë në Belgjikë dhe Portugali. Në Bruksel, policia përdori gaz lotsjellës dhe sprej ndaj demonstruesve, ndërsa në Lisbonë dhe Porto ndërhyri për të shpërndarë kampe proteste.

Në kryeqytetin belg, qindra persona u mblodhën për të kundërshtuar politikat e qeverisë dhe për të kërkuar më shumë financim për sistemin arsimor. Demonstrata është pjesë e mobilizimeve të muajve të fundit, megjithëse përplasjet këtë herë u raportuan më pak të ashpra se ato të javës së kaluar.

Gjatë incidenteve, disa protestues u panë duke vrapuar dhe duke u rrëzuar teksa ndiqeshin nga policia. Në një tjetër episod, demonstruesit hodhën tabela trafiku dhe objekte të tjera mbi një grumbull skuterësh e biçikletash me qira, në përpjekje për t’u vënë flakën.

Reklamë Ola

Sipas mediave belge, policia përdori gaz lotsjellës në disa momente për të shpërndarë turmën.

Në një deklaratë të pasdites, policia e Brukselit tha se nuk ishin regjistruar incidente të mëdha. Autoritetet njoftuan ndalimin e pesë personave për prishje të rendit publik dhe katër të tjerëve për posedim të armëve të ndaluara.

Reklamë InterMedika

Ndërkohë, në Portugali, mijëra qytetarë protestuan të shtunën kundër rritjes së çmimeve të banesave dhe vështirësive për të përballuar qiratë.

Në sheshin Rossio të Lisbonës, demonstruesit ngritën më shumë se 100 çadra, duke paralajmëruar se do të qëndronin aty deri në marrjen e masave nga qeveria.

Situata u tensionua në orët e para të së dielës, kur policia ndërhyri për të shpërndarë kampin. Në Lisbonë u arrestuan 25 persona, ndërsa në Porto gjashtë të tjerë, gjatë çmontimit të një kampi të ngjashëm.

Sipas policisë, shtatë persona pësuan lëndime të lehta në të dy qytetet. Organizatorët e kundërshtuan këtë bilanc, duke pretenduar se numri i të lënduarve ishte më i lartë.

Mobilizimi në Portugali është mbështetur edhe te thirrjet në rrjetet sociale, të cilat kanë ndihmuar në organizimin e protestave në qytete të ndryshme. Disa demonstrues të rinj kanë përmendur si frymëzim edhe protestat në Spanjë.