Senati Amerikan njeh në unanimitet ‘genocidin Armen’
Marrëdhëniet dypalëshe SHBA-Turqi kanë regjistruar një tjetër moment përkeqësimi. Të enjten Senati i SHBA-ve votoi me unanimitet Rezolutën për njohjen e genocidit Armen si çështje e politikës së jashtme Amerikane. Kjo rezolutë kalon gati një muaj nga vizita zyrtare e Presidentit turk Rexhep Taip Erdogan në Shtëpinë e Bardhë në Washington në nëntor. Kjo vizitë u cilësua nga Presidenti Donald Trump si ‘e mrekullueshme’ pavarësisht se nuk ndryshuan kursin mbi mosmarrëveshjet ekzistuese mbi çështjen Siriane. Gjatë vizitës Presidenti turk ripërsëriti kërkesën e tij ndaj historianëve për të analizuar ngarjen në fjalë.
Rezoluta e 12 dhjetorit shpreh nevojën e politikës së jashtme amerikane ‘për të përkujtuar genocidin armen përmes njohjes zyrtare dhe përkujtimit’, theksohet ndër të tjera në tekst.
Një qëndrim i tillë u kundërshtua nga zëdhënësi i Presidentit turk, Ibrahim Kalin, I cili hodhi poshtë cilësimin ‘genocid’. Ndërsa Ministri i Jashtëm i Turqisë e konsideroi rezolutën një ‘show politik’. Turqia i ka hedhur poshtë në mënyrë të përsëritur akuzat për një ‘genocid’ ndaj armenëve për shkak se humbje të jetëve kishte nga të dy palët për shkak të Luftës së I-rë Botërore.
Armeno- Amerikanët theksojnë se beteja e tyre e nisur në mesin e viteve 1960 më në fund u finalizua me njohjen e vrasjes në masë të 1.5 milion armenëve, midis 1915 dhe 1922, si genocid.
Vota e Senatit e çon në 32 numrin e vendeve që kanë njohur vrasjen në masë të Armenëve si genocid ndër të cilat Vatikani, Rusia, Franca, Italia, Gjermania, Greqia etj.
Eunews.al