Një sulm me dronë ukrainas goditi të dielën terminale dhe depo nafte në Shën Petersburg, duke shkaktuar zjarre, një viktimë dhe disa të plagosur, sipas autoriteteve ruse. Mediat shtetërore ruse e cilësuan atë si një nga sulmet më të mëdha me dronë të vitit.
Guvernatori i Shën Petersburgut, Alexander Beglov, deklaroi në Telegram se qyteti ishte përballur gjatë natës me një sulm masiv. Sipas tij, ekipet e emergjencës po punonin për shuarjen e zjarreve në Terminalin e Naftës së Petersburgut, në depon e naftës Ruchyi dhe në magazina industriale në distriktin Kolpino.
Goditjet vijnë në një kohë kur Kievi dhe Moska kanë intensifikuar sulmet ndaj infrastrukturës së njëri-tjetrit.
Presidenti ukrainas, Volodymyr Zelensky, deklaroi javën e kaluar se kishte urdhëruar rifillimin e goditjeve ndaj rafinerive ruse, pas një ndërprerjeje treditore. Pauza pasoi njoftimin e presidentit amerikan, Donald Trump, se kishte ndërmjetësuar një armëpushim për sulmet ndaj infrastrukturës energjetike mes Ukrainës dhe Rusisë.
Trump i ka kërkuar vazhdimisht Kievit të ndalë sulmet, duke e fajësuar për rritjen e çmimeve të karburanteve. Ai ka bërë thirrje gjithashtu për zëvendësimin e Zelenskyt në krye të presidencës.
Në një reagim të dielën në platformën X, Zelensky vuri në dukje vijimin e sulmeve ruse ndaj Ukrainës. Sipas tij, gjatë javës së fundit Rusia kishte përdorur afro 2.700 dronë sulmues, 1.700 bomba ajrore dhe 66 raketa, shumica prej tyre balistike.
Presidenti ukrainas deklaroi se Shtetet e Bashkuara duhet të shohin se Moska nuk po ndërmerr hapa reciprokë në përgjigje të lehtësimit të sanksioneve apo marrëveshjeve.
Ndërkohë, autoritetet lituaneze njoftuan se një objekt i dyshuar si dron mund të ketë shpërthyer vetë të dielën në mëngjes, teksa fluturonte në drejtim të Letonisë. Sipas një zëdhënësi të forcave të armatosura lituaneze, avionët luftarakë të misionit të NATO-s për mbrojtjen ajrore u ngritën në përgjigje të incidentit pranë kufirit letonez.
Origjina e objektit mbetet e paqartë. Ministri i Mbrojtjes i Lituanisë, Robertas Kaunas, tha se dyshohet që droni të ketë hyrë nga Polonia dhe se i kishte propozuar homologut polak një hetim të përbashkët.
Edhe në lindje të Polonisë, policia ka nisur kërkime pas raportimeve për hyrjen e një objekti të paidentifikuar në hapësirën ajrore të vendit, pas një sulmi rus ndaj Ukrainës.


