×
Sunday, July 12, 2026

Rritja e shpenzimeve të NATO-s mund t’i kushtojë SHBA-së ndikimin e saj në aleancë

July 12, 2026


Edhe kritikët e Donald Trump pranojnë se një nga gjërat për të cilat ai ka ushtruar presion ka qenë rritja e kontributit të vendeve të NATO-s për mbrojtjen. Presidentët amerikanë prej dekadash janë ankuar për ndarjen e barrës financiare, por mënyra e ashpër dhe transaksionale e Trumpit e ka bërë këtë çështje qendrore.

Presioni amerikan ka dhënë rezultate: vendet e NATO-s jashtë SHBA-së kanë rritur ndjeshëm shpenzimet ushtarake. Nga rreth 1.4% të PBB-së së tyre të kombinuar në vitin 2014, ato arritën afërsisht 2.3% në vitin 2025.

Megjithatë, rritja e shpenzimeve europiane nuk do të thotë domosdoshmërisht se Shtetet e Bashkuara do të shpenzojnë më pak për mbrojtjen. Ushtria amerikane nuk financohet vetëm për nevojat e NATO-s, por edhe për rolin global të Uashingtonit: përballjen me Rusinë dhe Kinën, operacionet në Lindjen e Mesme, mbrojtjen e rrugëve detare, epërsinë bërthamore, hapësirën, inteligjencën artificiale dhe aftësinë për të ndërhyrë në çdo rajon të botës.

Sipas analizave të Institutit Ndërkombëtar për Studime Strategjike, shpenzimet e drejtpërdrejta amerikane për mbrojtjen në Europë kanë qenë vetëm një pjesë e vogël e buxhetit total ushtarak të SHBA-së.

Por një Europë më e fuqishme ushtarakisht mund të ketë pasoja politike për Amerikën. Sa më pak të varura të jenë vendet europiane nga SHBA-ja, aq më shumë ato mund të ndjekin politika të pavarura.

Për dekada, dominimi amerikan në NATO i ka dhënë Uashingtonit ndikim të madh. Bazat amerikane në Europë kanë shërbyer si pikënisje për operacione jo vetëm në kontinent, por edhe në Lindjen e Mesme, Afrikë dhe Azi. Megjithatë, nëse aleatët europianë e shohin SHBA-në si më pak të parashikueshme, ata mund të jenë më pak të gatshëm të mbështesin automatikisht politikat amerikane.

Kjo mund të ndikojë edhe në çështje si sanksionet ndaj Rusisë, Iranit apo Kinës. Europa ka instrumentet e veta ekonomike dhe politike dhe mund të mos ndjekë gjithmonë të njëjtën linjë me Uashingtonin.

Një tjetër pasojë mund të jetë në industrinë amerikane të armëve. Për dekada, vendet europiane kanë blerë sisteme amerikane si avionët F-35, raketat HIMARS dhe sistemet Patriot, jo vetëm për cilësinë e tyre, por edhe sepse këto blerje kanë forcuar lidhjet ushtarake me SHBA-në. Por tani disa vende europiane po diskutojnë uljen e varësisë nga pajisjet amerikane, nga frika se në të ardhmen mund të ketë probleme me mirëmbajtjen, pjesët rezervë ose mbështetjen teknike.

Ekziston edhe një sfidë tjetër: rritja e fuqisë ushtarake europiane mund të ndryshojë ekuilibrat brenda vetë Europës. Gjermania, ekonomia më e madhe e kontinentit, ka kapacitetin më të madh për të rritur shpenzimet e mbrojtjes. Kjo shihet si e nevojshme përballë kërcënimeve të reja, por një Gjermani shumë më e fuqishme ushtarakisht mund të krijojë shqetësime te disa vende europiane.

Pas Luftës së Dytë Botërore, strategjia amerikane ishte të krijonte një sistem ku Europa të ishte e sigurt nën ombrellën e SHBA-së dhe ku rivalitetet mes vendeve europiane të zbeheshin. Ky model solli dekada stabiliteti dhe e mbajti Amerikën në qendër të rendit të sigurisë europian.

Sipas analizës, presioni për një NATO më të pavarur europiane mund të ketë krijuar një ndryshim afatgjatë: një Europë më të fortë, por edhe një Amerikë me më pak ndikim mbi aleatët e saj tradicionalë/ WP




Comments are closed.