Rama komenton mbështetjen e Dua Lipës për protestat: Ajo i do, unë dua Duan

29 Sep 2026 • 18:26
Shpërndaje:

Kryeministri Edi Rama ka komentuar nga Brukseli mbështetjen e këngëtares Dua Lipa për protestat e njohura si “Revolucioni i Flamingove”, duke deklaruar se nuk sheh asnjë problem në qëndrimin e artistes dhe se njerëzit mund të kenë pikëpamje të ndryshme.

Dua Lipa e ka cilësuar më herët si “frymëzues” angazhimin e qytetarëve në protestat që nisën kundër zhvillimeve turistike në zonën e Zvërnecit dhe Sazanit. Artistja ka ngritur gjithashtu shqetësime për mbrojtjen mjedisore dhe konsultimin publik. 

I pyetur nëse qëndrimi i këngëtares mund të konsiderohej pjesë e propagandës kundër projekteve, Rama tha se mbështetja e saj për protestën nuk ndryshon vlerësimin që ai ka për Dua Lipën.

Reklamë Ola

“Ajo është krenare për protestën, unë jam krenar për të. Është shumë e thjeshtë, nuk ka asnjë problem”, deklaroi kryeministri.

Rama argumentoi se zhvillimi ekonomik dhe mbrojtja e mjedisit nuk duhet të trajtohen si alternativa që përjashtojnë njëra-tjetrën.

Reklamë InterMedika

“Është ideologji kur thua ose zhvillimi ose konservimi. Unë them që zhvillimi dhe konservimi mund të funksionojnë krah për krah”, u shpreh ai.

Kryeministri përdori edhe nota humori kur iu rikthye qëndrimit të këngëtares. “Duas i pëlqen protesta, mua më pëlqen Dua, e dua shumë atë. Nuk e di nëse ajo e dashuron protestën”, tha Rama.

Ai shtoi se admirimi për një figurë publike nuk nënkupton domosdoshmërisht dakordësi me çdo qëndrim të saj. “Ajo është këngëtare, nuk është Papa. Mua më pëlqen Papa, por nuk jam dakord me çdo gjë që thotë”, deklaroi Rama.

Duke folur më gjerësisht për protestat, kryeministri tha se e konsideron pozitive faktin që qytetarët protestojnë. “Fakti që kemi protesta sot është shumë mirë. Ne po bëhemi si të gjithë. Njerëzit protestojnë”, u shpreh ai.

“Revolucioni i Flamingove” nisi si kundërshtim ndaj zhvillimeve të planifikuara turistike në Sazan dhe Zvërnec, me protestuesit që kanë ngritur shqetësime për ndikimin në zonat e mbrojtura, transparencën dhe konsultimin publik. Me kalimin e kohës, tubimet kanë përfshirë edhe kërkesa më të gjera politike. 

Rama tha se ka komunikuar edhe privatisht me disa prej protestuesve, duke shtuar se mes tyre kishte persona që, sipas informacioneve që kishte marrë, ishin votues të Partisë Socialiste.