Harta e re territoriale, Shqipëria nga 61 në 46 bashki

28 Sep 2026 • 18:07
Shpërndaje:

Shqipëria pritet të kalojë nga 61 në 46 bashki me reformën e re administrativo-territoriale, ndërsa konfigurimi i ri synohet të zbatohet në zgjedhjet vendore të vitit 2027. Kështu deklaroi zëvendësministri i Punëve të Brendshme, Oltjon Muzaka, gjatë prezantimit të qëndrimit të Këshillit të Ministrave në Komisionin e Ligjeve. 

Sipas Muzakës, synimi nuk është thjesht ndryshimi i hartës së vendit, por krijimi i bashkive me më shumë kapacitete administrative dhe financiare, të afta për të ofruar shërbime më të mira për qytetarët.

“Bashki më të forta dhe jo më të largëta, administratë më profesionale me shërbimin më pranë qytetarëve. Ky duhet të jetë dhe standardi me të cilin do të matet suksesi i reformës pas vitit 2027”, deklaroi zëvendësministri. 

Reklamë Ola

Projekti parashikon që numri i bashkive të ulet nga 61 në 46, ndërsa struktura e re territoriale do të ketë 71 qytete përbërëse dhe 387 njësi administrative. Numri i qarqeve nuk ndryshon dhe mbetet 12. 

Në praktikë, 28 bashki ekzistuese parashikohet të konsolidohen në 13 bashki. Kjo do të thotë se 15 prej bashkive aktuale do të humbasin statusin e tyre si bashki më vete. Nuk parashikohet krijimi i bashkive të reja përmes ndarjes së njësive ekzistuese. 

Reklamë InterMedika

Muzaka theksoi se bashkia do të vazhdojë të jetë njësia bazë e vetëqeverisjes vendore, ndërsa reforma synon të ruajë identitetin dhe përfaqësimin e komuniteteve, pavarësisht konsolidimit të njësive.

Ndryshimet nuk përfundojnë vetëm me miratimin e hartës së re. Sipas zëvendësministrit, do të duhet të përshtatet edhe ligji për vetëqeverisjen vendore, duke përcaktuar statusin dhe funksionet e “qytetit”, raportin e tij me bashkinë dhe njësitë administrative, si dhe mënyrën e përfaqësimit proporcional. 

Modeli i propozuar kalon nga struktura aktuale “Bashki – Njësi Administrative” në një organizim me tre nivele: “Bashki – Qytet – Njësi Administrative”. Sipas draftit, 20 nga 46 bashkitë do të kenë më shumë se një qytet në përbërjen e tyre. 

Një tjetër ndryshim i rëndësishëm lidhet me zgjedhjet vendore. Organet e dala nga zgjedhjet e vitit 2023 do të vazhdojnë të funksionojnë sipas ndarjes aktuale deri në konstituimin e organeve të reja, ndërsa zgjedhjet e vitit 2027 parashikohet të zhvillohen mbi bazën e konfigurimit të ri territorial. 

Deri atëherë, sipas Muzakës, duhet të përgatitet kalimi i administratës, pronave dhe aseteve, kontratave, arkivave, sistemeve të informacionit, buxheteve dhe detyrimeve financiare, pa ndërprerë shërbimet për qytetarët.