Auditimi në SHISH pas çështjes Hyseni, Lila: Nuk kanë dalë dokumente që cenojnë sigurinë

28 Sep 2026 • 21:48
Shpërndaje:

Kreu i komanduar i Shërbimit Informativ të Shtetit, Elvis Lila, ka deklaruar në mbledhjen e Këshillit të Sigurisë Kombëtare se nga verifikimet e kryera pas masës së sigurisë ndaj ish-drejtoreshës Vlora Hyseni nuk rezulton të kenë dalë nga institucioni dokumente që cenojnë sigurinë kombëtare. Kjo është raportuar nga Top Channel duke iu referuar burimeve të pranishme në takimin e zhvilluar me dyer të mbyllura.

Sipas këtyre burimeve, pas zhvillimeve që përfshinë Hysenin është kryer një auditim konfidencial brenda SHISH-it. Lila mësohet se ka këmbëngulur se kontrollet nuk kanë evidentuar nxjerrjen e dokumenteve apo materialeve nga institucioni që mund të cenojnë sigurinë kombëtare.

Gjatë mbledhjes është diskutuar gjithashtu detyrimi i institucioneve të sigurisë për të mbledhur, administruar dhe ruajtur informacionet e klasifikuara, si dhe nevoja për forcimin e bashkëpunimit ndërinstitucional.

Reklamë Ola

Në takim ka folur edhe kreu i SPAK, Klodian Braho. Sipas raportimeve që citojnë burime nga mbledhja, Braho u ka shpjeguar drejtuesve të institucioneve se kërkesa për masë sigurie ndaj Hysenit është bërë pas administrimit të provave sekrete në kuadër të hetimit.

Braho mësohet të ketë thënë se grupi hetimor arriti në këtë vendimmarrje pasi siguroi provat që konsideroi të nevojshme. Në materialet e hetimit, sipas të njëjtave raportime, përfshihen edhe të dhëna të siguruara gjatë kontrolleve të banesave.

Reklamë InterMedika

Edhe kryeministri Edi Rama ka ndërhyrë në diskutim. Burimet citojnë Ramën të ketë theksuar se “përgjegjësia është individuale”, ndërsa ka kërkuar gjetjen e mekanizmave të bashkëpunimit mes institucioneve për garantimin e sigurisë kombëtare.

Presidenti Bajram Begaj, nga ana tjetër, ka vënë theksin te respektimi i pavarësisë së drejtësisë dhe mosndërhyrja në punën e Prokurorisë së Posaçme.

Ky qëndrim përputhet edhe me njoftimin zyrtar të Presidencës pas mbledhjes, ku u theksua se hetimet duhet të zhvillohen në mënyrë të pavarur dhe të respektohen nga të gjithë, ndërsa çështjet individuale nuk duhet të shndërrohen në një krizë besimi ndaj shtetit dhe institucioneve të sigurisë.

Mbledhja e Këshillit të Sigurisë Kombëtare zgjati rreth 90 minuta dhe u zhvillua në Pallatin e Brigadave. Përveç anëtarëve të Këshillit, në të morën pjesë edhe përfaqësues të SPAK dhe Prokurorisë së Përgjithshme.