Rikthehet treni në Tiranë, hapet tenderi për lidhjen me Terminalin e Transportit

17 May 2026 22:34
Shpërndaje:

Pas dekadash mungese, projekti për rikthimin e trenit në Tirana ka hyrë zyrtarisht në një fazë të re, me hapjen e tenderit për ndërtimin e lidhjes mes Terminalit të Transportit Publik dhe Stacionit Qendror të Trenit.

Projekti, me një vlerë prej 15.7 milionë euro, konsiderohet një hap i rëndësishëm drejt rikthimit të transportit hekurudhor në kryeqytet, duke synuar të lidhë më mirë qytetin me linjat ekzistuese dhe aeroportin.

Drejtori i projektit për hekurudhën Tiranë-Durrës-Rinas, Bashkim Kasoruho, e cilësoi këtë zhvillim si një moment kyç për transportin në vend, duke theksuar se treni do të rikthehet në të njëjtin lokacion pranë bulevardit “Zogu i Parë”.

Reklamë Ola

Sipas tij, projekti hekurudhor është në fazë të avancuar, ku segmenti Tiranë-Durrës është drejt përfundimit, ndërsa punimet për stacionet dhe ndalesat, përfshirë lidhjen me aeroportin e Rinasit, janë në proces. Ndërkohë, faza e elektrifikimit pritet të nisë së shpejti dhe të përfundojë deri në fund të vitit 2027.

Trenat që do të operojnë në këtë linjë do të jenë elektrikë dhe modernë, të pajisur me kushte bashkëkohore si akses për persona me aftësi të kufizuara, hapësira për biçikleta, kondicionerë dhe tualete, në standarde të ngjashme me vendet e Bashkimit Europian.

Reklamë InterMedika

Shpejtësia maksimale e trenave pritet të arrijë deri në 120 km/h, ndërsa në segmentin brenda Tiranës do të jetë rreth 70 km/h, për shkak të ndalesave dhe karakteristikave të linjës.

Nëse punimet vijojnë sipas planit, pas disa vitesh Tirana mund të rikthejë sërish transportin hekurudhor, si një alternativë moderne dhe e qëndrueshme për qytetarët.