Dhomat e Specializuara të Kosovës në Hagë kanë dënuar me 81 vite burg në total katër ish-krerët e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, në përfundim të gjykimit të shkallës së parë për krime lufte dhe krime kundër njerëzimit.
Hashim Thaçi dhe Jakup Krasniqi u dënuan me nga 25 vite burg, Kadri Veseli me 18 vite, ndërsa Rexhep Selimi me 13 vite. Në dënimet përfundimtare do të llogaritet edhe koha e kaluar në paraburgim që nga nëntori i vitit 2020.
Trupi gjykues i shpalli të katër të pandehurit penalisht përgjegjës për krimet e luftës të ndalimit arbitrar, trajtimit mizor, torturës dhe vrasjes. Ata u shpallën të pafajshëm për akuzat për krime kundër njerëzimit, pasi Prokuroria nuk provoi përtej dyshimit të arsyeshëm ekzistencën e një sulmi të përhapur ose sistematik kundër popullatës civile.
Sipas njoftimit zyrtar të Dhomave të Specializuara, katër ish-krerët e UÇK-së u konsideruan përgjegjës për ndalimin arbitrar të 385 personave, trajtimin mizor të 49 personave, torturimin e 303 personave dhe vrasjen e 96 të tjerëve.
Dënimet për secilin prej të akuzuarve
Hashim Thaçi mori dënimin prej 25 vitesh burg. Gjykata konstatoi se, si anëtar i Shtabit të Përgjithshëm dhe drejtues i Drejtorisë Politike të UÇK-së, ai kishte rol kyç në formulimin dhe zbatimin e qëllimit të përbashkët për të goditur personat e perceptuar si kundërshtarë.
Trupi gjykues tha se Thaçi kishte marrë pjesë personalisht në disa krime, përfshirë arrestimin, ndalimin arbitrar dhe marrjen në pyetje të 13 parlamentarëve, si dhe në arrestimin, transferimin dhe vrasjen e Behajdin Allaqit. Dënimi i Thaçit me 25 vite u raportua edhe nga Reuters.
Jakup Krasniqi u dënua gjithashtu me 25 vite burg. Sipas gjykatës, në cilësinë e anëtarit të Shtabit të Përgjithshëm dhe Drejtorisë Politike, zëdhënësit dhe zëvendëskomandantit të UÇK-së, Krasniqi kishte rol të rëndësishëm në hartimin dhe zbatimin e politikës kundër personave të perceptuar si kundërshtarë. Gjykata vlerësoi se deklaratat, komunikatat dhe urdhrat e tij kishin nxitur kryerjen e krimeve.
Kadri Veseli u dënua me 18 vite burg. Trupi gjykues konstatoi se, si drejtues i Drejtorisë së Zbulimit, përgjegjësitë e tij përfshinin identifikimin, vëzhgimin dhe neutralizimin e personave të dyshuar si “bashkëpunëtorë”. Sipas vendimit, Veseli ishte përfshirë personalisht në identifikimin dhe shënjestrimin e kundërshtarëve, disa prej të cilëve më pas u vranë.
Rexhep Selimi mori dënimin më të ulët, prej 13 vitesh burg. Gjykata vlerësoi se posti i tij si inspektor i përgjithshëm i UÇK-së i jepte më pak autoritet krahasuar me tre të akuzuarit e tjerë. Megjithatë, trupi gjykues konstatoi se ai kishte toleruar shkelje të rënda të së drejtës ndërkombëtare humanitare dhe kishte kontribuuar në zbatimin e qëllimit të përbashkët kriminal.
Çfarë konstatoi gjykata
Sipas aktgjykimit, veprimet kriminale u drejtuan ndaj personave të perceptuar si kundërshtarë të objektivave politikë dhe ushtarakë të UÇK-së. Mes tyre përfshiheshin shqiptarë të Kosovës të lidhur me forca të tjera politike ose ushtarake, si LDK-ja dhe FARK-u, persona që dyshoheshin për lidhje me autoritetet serbe, si dhe pjesëtarë të komuniteteve rom dhe serb.
Gjykata tha se kundërshtarët u shënjestruan përmes vrasjeve, arrestimeve dhe ndalimeve pa proces të rregullt ligjor, keqtrajtimeve fizike dhe psikologjike, frikësimit dhe formave të tjera të abuzimit.
Sipas trupit gjykues, shumica dërrmuese e viktimave ishin civilë të pafajshëm, të cilët u cilësuan, shpesh pa prova, si “bashkëpunëtorë” ose “spiunë”.
Kryetari i trupit gjykues, Charles Smith, theksoi se procesi nuk kishte të bënte me legjitimitetin e luftës së UÇK-së apo me synimin për pavarësinë e Kosovës. Sipas tij, gjykimi u përqendrua vetëm në krimet e përfshira në aktakuzë dhe në përgjegjësinë penale individuale të katër të pandehurve.
Procesi nisi në prill të vitit 2023
Gjykimi ndaj Thaçit, Veselit, Selimit dhe Krasniqit nisi më 3 prill 2023. Katër të akuzuarit ndodheshin në paraburgim në Hagë që prej nëntorit të vitit 2020 dhe gjatë gjithë procesit u deklaruan të pafajshëm.
Gjatë gjykimit, trupi gjykues mori dëshmitë e 273 personave, në sallë ose me shkrim, dhe pranoi 5.467 prova materiale. Në proces morën pjesë edhe 156 viktima, ndërsa dokumentacioni i seancave arriti në më shumë se 29 mijë faqe.
Trupi gjykues foli gjithashtu për një klimë të vazhdueshme të frikësimit të dëshmitarëve, duke deklaruar se disa prej tyre ndryshuan dëshmitë e mëparshme, shmangën dhënien e hollësive ose nuk thanë të vërtetën para gjykatës.
Vendimi mund të apelohet
Aktgjykimi i shpallur në Hagë është i shkallës së parë dhe nuk e përmbyll përfundimisht procesin gjyqësor. Mbrojtja dhe Prokuroria kanë të drejtë ta ankimojnë atë.
Çështja mund të kalojë në shkallën e Apelit, e cila mund t’i lërë dënimet në fuqi, t’i ndryshojë ose ta rrëzojë pjesërisht apo tërësisht vendimin, në varësi të argumenteve të paraqitura nga palët.


