Kryeministri Edi Rama ka reaguar pas shpalljes së aktgjykimit ndaj Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Jakup Krasniqit dhe Rexhep Selimit nga Dhomat e Specializuara të Kosovës në Hagë.
Përmes një postimi të shkurtër në Facebook, kreu i qeverisë shqiptare shkroi vetëm një fjalë: “Marre”.
Reagimi i Ramës erdhi pasi trupi gjykues shpalli dënimet ndaj katër ish-drejtuesve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës.
Ish-presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi, u shpall fajtor për krime lufte dhe u dënua me 25 vjet burgim.
Jakup Krasniqi u dënua gjithashtu me 25 vjet burg, ndërsa ndaj ish-kryetarit të Kuvendit të Kosovës, Kadri Veseli, u dha një dënim prej 18 vjetësh. Rexhep Selimi u dënua me 13 vjet burgim.
Të katër ish-krerët e UÇK-së janë mbajtur në paraburgim në Hagë që prej nëntorit të vitit 2020 dhe gjatë gjithë procesit i kanë mohuar akuzat.
Vendimet e shpallura janë të shkallës së parë dhe mund të ankimohen nga mbrojtja ose Prokuroria, sipas procedurave të Dhomave të Specializuara.


