Rama u përgjigjet studentëve: Ju kam dëgjuar çdo ditë! Plumbat e gomës u përdorën pas plagosjes së policit

18 Oct 2026 • 10:24
Shpërndaje:

Kryeministri Edi Rama ka komentuar kërkesat e studentëve për dorëheqjen e tij, si dhe ndërhyrjen e Policisë së Shtetit gjatë protestave të ditëve të fundit në Tiranë. Rama deklaroi se i ka dëgjuar thirrjet e protestuesve, por sipas tij, nuk është paraqitur asnjë kërkesë konkrete që të justifikojë largimin e tij nga detyra. Ndërkohë, ai mbrojti përdorimin e plumbave të gomës nga policia, duke e lidhur këtë veprim me plagosjen e një efektivi.

Duke iu përgjigjur pretendimeve të studentëve se zëri i tyre nuk është dëgjuar, kryeministri tha se protestuesit kanë qëndruar për muaj të tërë pranë zyrës së tij, duke kërkuar dorëheqjen dhe burgosjen e tij, por pa kërkuar një takim për të diskutuar arsyet e këtyre kërkesave.

“Ju kam dëgjuar çdo ditë, sepse keni ardhur poshtë dritares sime. Ju kam dëgjuar: o në burg, o në litar, burg, burg, jep dorëheqjen. S’kam dëgjuar kërkesa”, deklaroi Rama.

Reklamë Ola

Ai theksoi se kundërshtimi i qeverisë është një e drejtë demokratike, por kërkoi që studentët të paraqesin argumentet e tyre për largimin e tij.

“Keni ardhur aty 140 ditë dhe asnjëherë s’keni trokitur te dera që të më thoni me njerëzillëk, sy më sy, pse duhet të ikësh. Ti do që unë të iki, kjo është gjëja më normale në botë, por si do të iki unë? Të paktën hajde më bind pse duhet të iki unë, ose të bind unë pse s’duhet të iki”, u shpreh kryeministri.

Reklamë InterMedika

Rama iu referua gjithashtu çështjes së Zvërnecit dhe projektit të njohur si “Flamingo”, duke pretenduar se qeveria ka reflektuar mbi shqetësimet e ngritura më herët dhe se informacionet për këtë çështje janë bërë publike në mënyrë transparente.

“Ne kemi dalë nga faza e parë e masivitetit të flamingove me mësime që po i vëmë në jetë një e nga një. Nuk e dëgjoj më Zvërnecin, sepse e gjithë e vërteta është online tani, transparente”, tha ai.

Plumbat e gomës dhe prania e RENEA-s në protesta

Në vijim, kryeministri komentoi edhe përdorimin e plumbave të gomës nga policia gjatë përplasjeve me protestuesit.

Sipas Ramës, ndërhyrja erdhi pasi një efektiv policie u godit në nofull me një objekt metalik, duke pësuar plagosje.

“Pse ndodhi gjuajtja me plumb gome? Sepse efektivi mori zarin e çelikut, iu ça nofulla dhe shoku i tij largoi kriminelin që qëlloi me saçme”, deklaroi Rama.

Kryeministri e krahasoi ndërhyrjen e Policisë shqiptare me praktikat e forcave të rendit në Francë, duke mbrojtur veprimet e efektivëve gjatë protestave.

Ai u ndal edhe te prania e forcave speciale RENEA, duke theksuar se angazhimi i tyre është i parashikuar në situata ku ekziston rreziku i incidenteve të dhunshme.

“RENEA e ka për detyrim të dalë. RENEA del edhe në ndeshjen me Serbinë, ku ka premisë për rrëmujë. RENEA doli dhe do të dalë”, u shpreh ai.

Rama paralajmëroi gjithashtu masa ndaj personave që marrin pjesë në protesta me fytyrë të mbuluar, duke argumentuar se fshehja e identitetit nuk lejohet nga ligji.

“Do të ngushtohet rrethi i atyre me maska. E ka edhe ligji që ti s’mund ta fshehësh identitetin”, përfundoi kryeministri.

Deklaratat e Ramës vijnë në një kohë kur protestat në kryeqytet janë shoqëruar me përplasje mes demonstruesve dhe forcave të rendit, ndërsa përdorimi i mjeteve të forcës nga policia ka nxitur debate mbi proporcionalitetin e ndërhyrjeve.