Rama u kërkon mësuesve të mbajnë ditar për ditët e protestave

20 Oct 2026 • 09:10
Shpërndaje:

Kryeministri Edi Rama u ka kërkuar mësuesve të dokumentojnë përvojat e këtyre ditëve dhe atë që ka ndodhur me të miturit gjatë protestave, duke thënë se rrëfimet do të ndihmojnë në identifikimin e nevojave për ndërhyrje.

Gjatë një takimi në Ministrinë e Arsimit, Rama sqaroi se synimi është krijimi i një pasqyre të ngjarjeve dhe jo përgatitja e materialeve për organet ligjzbatuese.

“Kemi dakordësuar me ministren dhe me disa këshilltarë idenë që secili prej mësuesve të shkruajë edhe ditarin e këtyre ditëve, në mënyrë të detajuar, me një narrativë shumë të thjeshtë: çfarë ndodhi, si ndodhi”, deklaroi ai.

Reklamë Ola

Sipas kryeministrit, këto dëshmi mund të ndihmojnë për të kuptuar se ku duhet ndërhyrë, si në aspektin e sigurisë, ashtu edhe për të mbështetur të miturit e përfshirë.

“Jo për të pasur një dokument për ta çuar në një organ ligjzbatues, por për të pasur mozaikun e një historie që do na vlejë kur ta lexojmë”, theksoi Rama.

Reklamë InterMedika

Në fjalën e tij, kreu i qeverisë ngriti shqetësimin për ndikimin e TikTok-ut dhe platformave të tjera te fëmijët. Ai pretendoi se algoritmet i shënjestrojnë dhe i drejtojnë drejt varësisë, duke e krahasuar këtë mekanizëm me veprimtarinë e rrjeteve të shpërndarjes së drogës.

Rama tha se shumica e nxënësve nuk janë prekur nga kjo dukuri, por paralajmëroi se rreziku i zgjerimit të saj është real. Për këtë arsye, ai kërkoi që përvoja e mësuesve të shërbejë si bazë për përcaktimin e hapave të mëtejshëm.