Kryeministri Edi Rama akuzoi opozitën se fshihet pas profileve false në rrjetet sociale që, sipas tij, sulmojnë Paketën e Maleve dhe banorët që e mbështesin atë.
Përmes një postimi në rrjetet sociale, Rama tha se shumica e profileve që komentojnë kundër kësaj nisme janë të rreme dhe drejtohen nga opozita parlamentare dhe ajo që ai e quajti “opozita imagjinare”.
“90% e tyre janë vërtetë profile fallco, po mbas atyre profileve qëndrojnë pikërisht sorrat e opozitave parlamentare dhe korbat e opozitave imagjinare, të cilat e shndërruan Bulevardin e Flamingove në Sheshpërsheshin e Vulgaritetit, ku jashtënxirret llumi i gjuhës së urrejtjes me sasira e ndotësira që ai bulevard s’i kishte parë as kur nxirrte gjuhën mbi të Ndotësi i Madh i mexhelisit tonë…”, u shpreh Rama.
Kryeministri u ndal edhe te komentet ndaj banorëve të Thethit, duke i cilësuar ato si fyerje dhe gjuhë urrejtjeje.
“Shikojeni se si i shajnë, mallkojnë, ofendojnë gjithë ata burra sot në Theth dhe mendojeni vetëm për një sekondë, që këta shpirtra të bardhë si sytë e sorrës dhe pendët e korbit, të kenë në dorë fatin e Shqipërisë”, shtoi ai.
Deklaratat e Ramës u bënë pasi ai zhvilloi një bashkëbisedim me banorët e Thethit mbi Paketën e Maleve, një nismë që ka nxitur debat politik dhe reagime të shumta në opinionin publik.