×
Tuesday, July 21, 2026

Rama: Paketa e Maleve është për trashëgimtarët, jo për oligarkët

July 21, 2026


Kryeministri Edi Rama deklaroi se Paketa e Maleve synon të vërë në lëvizje ekonominë e trashëgimtarëve të pronave në zonat ku toka nuk është ndarë sipas ligjit 7501, duke hedhur poshtë pretendimet se kjo nismë favorizon oligarkët apo investitorë të jashtëm.

Gjatë një bashkëbisedimi me banorët e Thethit, Rama tha se kjo zonë ka qenë një nga arsyet kryesore për hartimin e Paketës së Maleve, pasi, sipas tij, përfaqëson njëkohësisht potencialin e madh për zhvillim dhe problematikat që duhen zgjidhur.

“Thethi ka qenë një nga arsyet e Paketës së Maleve dhe është një nga pasqyrat më shembullore të potencialit, aftësive për të bërë sukses dhe problematikave që duhen adresuar”, u shpreh kryeministri.

Rama theksoi se rreth kësaj nisme ekziston një keqkuptim i madh, ndaj edhe po zhvillohen takime sqaruese me banorët në zonat ku pronat janë trashëguar, por nuk mund të zhvillohen për shkak të kufizimeve ligjore.

Ai u bëri thirrje të gjithë trashëgimtarëve të pronave që ndodhen jashtë perimetrit të legjislacionit të ligjit 7501 të informohen mbi përmbajtjen e paketës dhe të mos bien pre e, sipas tij, dezinformatave që qarkullojnë për këtë proces.

Kryeministri hodhi poshtë akuzat se Paketa e Maleve synon t’u japë tokat oligarkëve ose investitorëve të pasur.

“Paketa e Maleve është ekzaktësisht e kundërta e të gjitha këtyre që thuhen. Paketa e Maleve nuk është as për uzurpues, as për biznesmenë që nuk kanë lidhje dhe nuk kanë marrëveshje me ju. As për oligarkë, as për asgjë tjetër, përveçse për të vënë në lëvizje ekonominë e trashëgimtarëve të pronave në territore ku toka nuk është ndarë sipas ligjit 7501”, deklaroi Rama.

Sipas tij, në këto zona banorët nuk e kanë zbatuar ndarjen e tokës sipas ligjit 7501, por kanë ruajtur kufijtë tradicionalë të pronave.

“Në përgjithësi nuk kanë konflikte me njëri-tjetrin. Paketa synon gjithashtu të adresojë zhvillimin e territoreve ku mundësia kryesore ekonomike është turizmi. Kjo është Paketa e Maleve”, përfundoi kryeministri.




Comments are closed.