×
Thursday, September 28, 2023

Rama: Sot kemi një dakordësi më të madhe për shengenin rajonal

November 2, 2020



Në Shqipëri është mbajtur Ministeriali Digjital për Ballkanin Perëndimor, me pjesëmarrjen e zyrtarëve të lartë nga vendet e rajonit, Bashkimi Evropian (BE) dhe përfaqësuesve të organizatave të ndryshme, ndërkohë kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, në fjalën e tij u ndal në rolin e transformimit digjital dhe nismën e shengenit rajonal.

Rama tha se aspekti digjital është njëri prej aspekteve kyçe të rrugës për të ecur përpara dhe theksoi se “sot kemi një kuptim më të madh dhe padyshim një dakordësi më të madhe për shengenin rajonal”.

“Në fakt programi digjital karakterizohet nga përmasa që lidhen me talentin, imagjinatën, me nismat e novacionit në të gjitha fushat duke përfshirë një spektër të gjerë qytetarësh pavarësisht nga profesionet, nga aktivitetet e tyre apo pritshmëritë e përditshme. Shoqëria digjitale është sfida më e madhe e këtij shekulli e po kështu është edhe instrumenti më i jashtëzakonshëm për të ngritur një mjedis ku njerëzit të mund të jetojnë në një hapësirë të ndryshme të lirisë, të përgjegjësisë dhe të barazisë”, u shpreh Rama.

Sipas tij, bashkëpunimi digjital është pjesë e pandashme e paketës së procesit të Berlinit. Rama theksoi më tej se “Është absolutisht e qartë se vendet e Ballkanit Perëndimor e kanë përqafuar këtë sfidë dhe po punojnë për të ndikuar individualisht sa më shumë të jetë e mundur, në një mënyrë pozitive, vizionin e përbashkët e për të zbatuar me të gjitha vështirësitë e kuptueshme një treg të vetëm brenda rajonit”.

“Shqipëria ka investuar shumë e me një intensitet të madh për të kapërcyer në një epokë tjetër sa u takon shërbimeve në internet për qytetarët gjatë viteve të fundit”, tha Rama.

Mariya Gabriel, komisionerja evropiane për Inovacionin, Kërkimin, Kulturën dhe Edukimin, nëpërmjet video-lidhjes, tha se duhet të përdoren të gjithë përfitimet që sjellë transformimi digjital në vendet e punës.

“Duhet të kemi vullnetin politik që të rrisim investimet tona në fushën e kërkimit shkencor dhe të novacionit. Në anën tonë ne kemi punuar shumë dhe do të vazhdojmë të punojmë në partneritet të ngushtë me të gjitha vendet e Ballkanit Perëndimor për të ecur përpara në këtë fushë e cila është shumë e rëndësishme”, theksoi ajo.

Ministeriali në Tiranë u organizua nën kujdesin e Ministrisë së Infrastrukturës dhe Energjisë së Shqipërisë, si eventi përmbyllës i samitit të tretë digjital, që zhvilloi punimet disa ditë më parë në kryeqytetin e Shqipërisë.

Eunews.al

0 0 votes
Article Rating


Ndiqe
Me lajmëro për
guest
0 Comments
Inline Feedbacks
View all comments