Shqipëria, Kosova dhe Maqedonia e Veriut firmosin memorandum për mbrojtjen e të drejtave të qytetarëve
Avokatët e Popullit të Shqipërisë, Kosovës dhe Maqedonisë së Veriut nënshkruan sot në Prizren një memorandum bashkëpunimi që synon forcimin e mbrojtjes së të drejtave të qytetarëve përtej kufijve shtetërorë dhe përmirësimin e koordinimit mes institucioneve homologe të tre vendeve.
Marrëveshja u firmos nga Avokati i Popullit i Shqipërisë, Endrit Shabani, Avokati i Popullit i Kosovës, Naim Qelaj, dhe homologu i Maqedonisë së Veriut, Faton Selami, të cilët u zotuan ta kthejnë bashkëpunimin institucional në përfitime konkrete për qytetarët e tre shteteve.
Gjatë ceremonisë së nënshkrimit, Endrit Shabani theksoi rëndësinë e zbatimit praktik të marrëveshjeve dhe vendimeve të miratuara ndër vite mes qeverive të rajonit.
“Qeveritë tona janë mbledhur disa herë në Tiranë, Shkup apo Prishtinë dhe kanë miratuar shumë akte lehtësuese. Por ne jemi këtu për të kontrolluar së bashku nëse ato po zbatohen. A merr vërtet shërbim mjekësor në Prizren një qytetar që vjen nga Kukësi? A trajtohen siç duhet pushuesit nga Kosova në bregdetin shqiptar? Ky memorandum na jep mjetet për të mbrojtur çdo qytetar”, deklaroi Shabani.
Sipas memorandumit, bashkëpunimi do të fokusohet në një sërë çështjesh që prekin drejtpërdrejt jetën e qytetarëve në të tre vendet. Mes tyre janë garantimi i trajtimit shëndetësor ndërkufitar, njohja e ndërsjellë e dokumenteve dhe vendimeve civile apo familjare, njohja e diplomave, si dhe mbrojtja e të drejtave të punëtorëve sezonalë.
Një rëndësi e veçantë do t’i kushtohet edhe mbrojtjes së fëmijëve në situatë rruge dhe kategorive të tjera vulnerabël, si dhe trajtimit të rasteve individuale që përfshijnë institucione ose qytetarë nga më shumë se një shtet.
Tre institucionet ranë dakord gjithashtu që çdo vit të hartojnë dhe publikojnë një Deklaratë të Përbashkët për gjendjen e të drejtave të njeriut në rajon, duke evidentuar problematikat kryesore dhe rekomandimet për përmirësimin e tyre.
Bashkëpunimi do të zhvillohet në kuadër të Aleancës së Avokatëve të Popujve të Mesdheut (AOM), organizatë që aktualisht drejtohet nga Avokati i Popullit i Shqipërisë, Endrit Shabani, dhe ku bëjnë pjesë edhe institucionet homologe të Kosovës dhe Maqedonisë së Veriut.
Sipas nënshkruesve, memorandumi synon të krijojë mekanizma më efektivë bashkëpunimi për mbrojtjen e të drejtave të qytetarëve, duke siguruar që liritë dhe garancitë themelore të respektohen në mënyrë të njëjtë, pavarësisht kufijve administrativë mes vendeve.







