Pesë studio prestigjioze garojnë për kampusin e ri të Universitetit të Durrësit
Pesë ekipe me emra të njohur të arkitekturës ndërkombëtare prezantuan sot në Durrës projektet e tyre për Kampusin e Ri të Universitetit “Aleksandër Moisiu”, në finalen e Konkursit Ndërkombëtar për hartimin e masterplanit të një prej investimeve më të rëndësishme në arsimin e lartë shqiptar.
Pas muajsh pune dhe zhvillimi të projekt-ideve, universiteti ka mbërritur në fazën finale të konkursit, i cili synon të përcaktojë vizionin e ri të kampusit universitar dhe transformimin e tij në një hapësirë moderne, funksionale dhe të orientuar drejt nevojave të studentëve dhe zhvillimit të qytetit.
Në garë janë pesë studio prestigjioze ndërkombëtare, të cilat kanë bashkuar ekspertë të arkitekturës, urbanistikës dhe projektimit nga vende të ndryshme të botës.
Mes finalistëve janë studioja belge 51N4E në bashkëpunim me JESHILE Landscape Design dhe Blerta Kambo; Bjarke Ingels Group (BIG) së bashku me Architevo Design Collective, Embrace Ideas, Kristo Krisiko, Rider Levett Bucknall, HSC Studio dhe Ergys Çaushi; FRPO Rodriguez & Oriol me PORRAS & LA CASTA Arquitectos, Studio B&L, Agim Seranaj dhe Adrian Paci; OZ Architects me iRI Architecture, Felixx, Studio Sabine Marcelis dhe BUROMILAN; si dhe PRÁCTICA në bashkëpunim me STUDIO-REBUS, Ana Horhat dhe Ledia Kostandini.
Secili ekip paraqiti vizionin e tij për kampusin e së ardhmes, duke propozuar zgjidhje inovative për hapësirat akademike, zonat rezidenciale për studentët, infrastrukturën publike dhe integrimin e kampusit me zhvillimin urban të qytetit të Durrësit.
Pas prezantimeve publike, juria ndërkombëtare do të vlerësojë projektet dhe gjatë pasdites pritet të shpallë fituesin e konkursit.
Juria kryesohet nga Kryeministri Edi Rama dhe përfshin rektorin e Universitetit “Aleksandër Moisiu”, Shkëlqim Fortuzi, kryetaren e Bashkisë së Durrësit Emiriana Sako, drejtoren e Agjencisë Kombëtare të Planifikimit të Territorit Adelina Greca, drejtoren e Agjencisë së Zhvillimit të Territorit Adelajda Roka, si dhe emra të njohur ndërkombëtarë të arkitekturës dhe urbanistikës si Christian Kerez, Wilfried Kuehn, Lorena del Río, Pier Paolo Tamburelli dhe João Nunes.
Për herë të parë në një konkurs të kësaj natyre është përfshirë edhe një përfaqësuese e studentëve, duke i dhënë zë komunitetit studentor në procesin e përzgjedhjes së projektit fitues.
Universiteti “Aleksandër Moisiu” e konsideron këtë konkurs një hap të rëndësishëm drejt krijimit të një kampusi modern europian, që do të ndikojë jo vetëm në cilësinë e arsimit të lartë dhe jetën studentore, por edhe në zhvillimin urban dhe ekonomik të qytetit të Durrësit.
Në përfundim të procesit, projekti fitues do të përcaktojë vizionin e ri të kampusit universitar dhe do të shërbejë si baza për realizimin e një prej investimeve më ambicioze në sektorin e arsimit në Shqipëri.







