FSHF miraton ndryshimin e formatit të kampionatit “Abissnet Superiore”
Komiteti Ekzekutiv i Federatës Shqiptare të Futbollit ka miratuar ndryshime të rëndësishme në formatin e kampionatit “Abissnet Superiore”, të cilat do të hyjnë në fuqi duke nisur nga sezoni 2026/2027 dhe do të kulmojnë me zgjerimin e elitës së futbollit shqiptar në 12 skuadra nga sezoni 2027/2028.
Vendimi u mor gjatë mbledhjes së radhës së Komitetit Ekzekutiv në “Shtëpinë e Futbollit”, ku u diskutuan çështje që lidhen me zhvillimin e garave, rritjen e konkurrueshmërisë dhe përmirësimin e nivelit të klubeve shqiptare në arenën ndërkombëtare.
Sipas formatit të ri, nga sezoni 2026/2027 kampionati nuk do të zhvillohet më me katër faza dhe sistemin “Final 4”. Në vend të tij do të aplikohen tre faza të rregullta me gjithsej 27 javë. Pas përfundimit të tyre, skuadrat do të ndahen në dy grupe sipas renditjes, ndërsa pikët e grumbulluara do të përgjysmohen.
Gjashtë skuadrat e para do të luajnë në fazën play-off me sistem vajtje-ardhje për 10 javë shtesë, ku do të përcaktohet kampioni. Katër skuadrat e fundit do të garojnë në fazën play-out, ku do të vendoset edhe skuadra që do të bjerë nga kategoria.
FSHF ka përcaktuar gjithashtu një sistem të ri promovimi dhe rënieje, ku dy skuadrat e para të Kategorisë së Parë do të ngjiten automatikisht në elitë, ndërsa ekipet e renditura nga vendi i tretë deri në të gjashtin do të luajnë play-off për mundësinë e promovimit.
Ndryshimi më i madh do të vijë një sezon më vonë. Nga sezoni 2027/2028, “Abissnet Superiore” do të zgjerohet nga 10 në 12 skuadra. Kampionati do të zhvillohet me dy faza të rregullta dhe 22 javë garë, përpara se ekipet të ndahen në grupet play-off dhe play-out.
Gjashtë skuadrat e para do të luftojnë për titullin kampion, ndërsa gjashtë të fundit për mbijetesën. Dy ekipet e fundit do të bien automatikisht nga kategoria, ndërsa skuadra e renditur e treta nga fundi do të luajë një ndeshje play-off për qëndrimin në elitë ndaj fituesit të play-off-it të Kategorisë së Parë.
Sipas FSHF-së, ndryshimet synojnë rritjen e konkurrencës sportive, mbajtjen e interesit të kampionatit gjatë gjithë sezonit dhe përgatitjen më të mirë të klubeve shqiptare për pjesëmarrjen në kompeticionet europiane.







