×
Thursday, June 11, 2026

Rama publikon pamje nga Gjirokastra: Qindra turistë shijojnë qytetin e UNESCO-s

June 11, 2026


Gjirokastra vijon të jetë një nga destinacionet më të preferuara turistike në Shqipëri, duke tërhequr vizitorë vendas dhe të huaj në çdo stinë të vitit falë historisë, trashëgimisë kulturore dhe atraksioneve të shumta që ofron.

Kryeministri Edi Rama ndau në rrjetet sociale pamje nga qyteti i gurtë, duke e cilësuar si një “ditë të zakonshme” në Gjirokastër, ku qindra turistë vizitojnë Pazarin karakteristik, muzetë dhe shijojnë gastronominë tradicionale të zonës.

Me vlera të spikatura historike, arkitekturore dhe kulturore, Gjirokastra është një nga qytetet e para shqiptare të përfshira në Listën e Trashëgimisë Botërore të UNESCO-s, duke u kthyer në një nga pikat më të rëndësishme të turizmit kulturor në vend.

Një nga simbolet më të njohura të qytetit mbetet Kalaja e Gjirokastrës, e vendosur mbi një kodër në shpatet e Malit të Gjerë. E ngritur rreth 370 metra mbi nivelin e detit, kalaja ofron një panoramë mbresëlënëse mbi qytetin dhe luginën përreth.

Vizitorët kanë mundësi të njihen nga afër edhe me historinë dhe traditat e zonës përmes institucioneve muzeale si Muzeu i Luftës së Ftohtë, Muzeu i Armëve, Muzeu Etnografik dhe Muzeu “Kadare”, të cilat janë ndër pikat më të frekuentuara nga turistët.

Falë kombinimit të trashëgimisë historike, arkitekturës unike, kulturës dhe kulinarisë tradicionale, Gjirokastra po konsolidohet gjithnjë e më shumë si një destinacion i turizmit gjithëvjetor, duke mbetur një nga qytetet më të vizituara në Shqipëri.




Comments are closed.