Merz: Gjermania gati të marrë pjesë në mision sigurie në Ngushticën e Hormuzit pas përfundimit të konfliktit
Kancelari gjerman Friedrich Merz deklaroi sot se Gjermania mbetet e gatshme të kontribuojë në një mision ndërkombëtar për garantimin e sigurisë në Ngushticën e Hormuzit, sapo të përfundojë konflikti mes Shteteve të Bashkuara dhe Iranit.
Duke folur në Bundestag, Merz theksoi se Berlini mbështet aktualisht një zgjidhje diplomatike të krizës, por njëkohësisht po ruan gatishmërinë për t’u angazhuar në operacione që synojnë stabilitetin dhe sigurinë e rajonit pas përfundimit të luftimeve.
“Gjermania është e gatshme të marrë përgjegjësitë e saj në rajonin e Gjirit sapo të krijohen kushtet e nevojshme”, deklaroi kancelari gjerman para deputetëve.
Deklaratat e Merz vijnë në një moment tensionesh të larta në Lindjen e Mesme, ndërsa armëpushimi mes Uashingtonit dhe Teheranit duket gjithnjë e më i brishtë pas sulmeve të ndërsjella të raportuara gjatë orëve të fundit.
Autoritetet iraniane kanë deklaruar se trafiku detar në Ngushticën e Hormuzit është ndërprerë për shkak të situatës së sigurisë, ndërsa ushtria iraniane ka paralajmëruar për rreziqe ndaj lundrimit në këtë korridor strategjik.
Nga ana tjetër, Komanda Qendrore e SHBA-së (CENTCOM) ka kundërshtuar këto pretendime, duke bërë të ditur se trafiku tregtar vazhdon të kalojë përmes ngushticës dhe se rrugët detare mbeten funksionale.
Merz theksoi se objektivi afatgjatë i komunitetit ndërkombëtar duhet të jetë garantimi i sigurisë rajonale dhe parandalimi i zhvillimit të programit bërthamor iranian.
“Duhet të garantohet siguria e Izraelit dhe stabiliteti i të gjithë rajonit. Pa këtë, nuk mund të ketë paqe të qëndrueshme në Lindjen e Mesme”, u shpreh ai.
Kancelari gjerman nënvizoi se Berlini mbështet përpjekjet diplomatike për uljen e tensioneve, por nuk përjashton një rol më aktiv në fazën pas konfliktit, nëse do të kërkohet nga partnerët ndërkombëtarë.
Sipas mediave gjermane, Bundeswehr ka nisur që prej muajit maj përgatitjet për një operacion të mundshëm në Ngushticën e Hormuzit. Planet paraprake përfshijnë angazhimin e mjeteve detare për monitorimin e sigurisë së lundrimit, si dhe anije të specializuara për zbulimin dhe neutralizimin e minave detare.
Ngushtica e Hormuzit konsiderohet një nga pikat më të rëndësishme strategjike në botë, pasi përmes saj kalon një pjesë e konsiderueshme e eksporteve globale të naftës dhe gazit natyror. Çdo kërcënim ndaj sigurisë së kësaj rruge detare ka ndikim të drejtpërdrejtë në tregjet ndërkombëtare të energjisë dhe në ekonominë globale.







