Nufi në SHBA: Partneriteti me Gardën Kombëtare të Nju-Xhersit, shtyllë e modernizimit të Forcave të Armatosura shqiptare
Ministri i Mbrojtjes, Ermal Nufi, së bashku me shefin e Shtabit të Përgjithshëm të Forcave të Armatosura, gjenerallejtënant Arben Kingji, morën pjesë në ceremoninë zyrtare me rastin e 25-vjetorit të Programit të Partneritetit Shtetëror ndërmjet Shqipërisë dhe Gardës Kombëtare të Nju-Xhersit, gjatë vizitës së tyre zyrtare në Shtetet e Bashkuara të Amerikës.
Në këtë aktivitet morën pjesë autoritete të larta amerikane dhe ushtarake, mes tyre guvernatorja e shtetit të Nju-Xhersit, Mikie Sherrill, si dhe gjeneral brigade Yvonne L. Mays, adjutante e përgjithshme e shtetit të Nju-Xhersit dhe komisionere për Çështjet Ushtarake.
Gjatë ceremonisë u vlerësua kontributi i rëndësishëm që Garda Kombëtare e Nju-Xhersit ka dhënë përgjatë 25 viteve në modernizimin dhe zhvillimin e Forcave të Armatosura të Shqipërisë, përmes programeve të trajnimit, shkëmbimit të përvojave dhe forcimit të kapaciteteve ushtarake.
Në fjalën e tij, ministri Nufi theksoi se marrëdhënia strategjike mes Shqipërisë dhe Shteteve të Bashkuara mbetet një nga shtyllat kryesore të politikës së jashtme dhe sigurisë së vendit.
“Sado gjatë të flas, nuk do të mund ta përshkruaj plotësisht historinë e miqësisë dhe bashkëpunimit tonë, as të shpreh në mënyrë të mjaftueshme mirënjohjen që burrat dhe gratë me uniformë të vendit tim ndjejnë ndaj jush. Besoj fort se kjo miqësi dhe ky partneritet do të vazhdojnë ndër breza, duke shërbyer si model dhe shembull për të tjerët”, u shpreh ministri.
Nufi vlerësoi gjithashtu mbështetjen e Gardës Kombëtare të Nju-Xhersit në transformimin e Forcave të Armatosura shqiptare, veçanërisht në zhvillimin e Trupës së Nënoficerëve, edukimin profesional të oficerëve, mjekësinë ushtarake, menaxhimin e emergjencave civile dhe bashkëpunimin në misione ndërkombëtare, përfshirë Afganistanin.
“Së bashku kemi ndërtuar kapacitete të qëndrueshme dhe konkrete. Kemi investuar në zhvillimin e Trupës së Nënoficerëve, e cila sot përbën një nga shtyllat më të forta të Forcave tona të Armatosura. Kemi mbështetur edukimin dhe zhvillimin profesional të brezave të rinj të oficerëve, kemi bashkëpunuar në mjekësinë ushtarake dhe në menaxhimin e emergjencave civile, si dhe kemi ndarë përvoja të vlefshme në misione ndërkombëtare”, tha ai.
Përgjatë 25 viteve të partneritetit, Garda Kombëtare e Nju-Xhersit dhe Forcat e Armatosura të Shqipërisë kanë zhvilluar jo vetëm stërvitje të përbashkëta, por edhe një bashkëpunim të qëndrueshëm të ndërtuar mbi përkushtimin, besimin dhe vlerat e përbashkëta, duke kontribuar në forcimin e sigurisë euroatlantike dhe të partneritetit strategjik mes dy vendeve.







