×
Sunday, July 12, 2026

Rama: Mbi 60 mijë vizitorë në festivalin UNUM, sukses për turizmin dhe ekonominë lokale

June 8, 2026


Kryeministri Edi Rama ka vlerësuar ndikimin ekonomik dhe turistik të festivalit UNUM Festival, i cili u zhvillua në Shëngjin.

Përmes një postimi në rrjetet sociale, Rama bëri të ditur se festivali tërhoqi mbi 60 mijë vizitorë gjatë pesë ditëve të organizimit, ndërsa në një nga netët e aktivitetit numri i pjesëmarrësve arriti deri në 25 mijë persona.

Sipas kryeministrit, këto shifra dëshmojnë ndikimin e rëndësishëm që eventi ka pasur në ekonominë lokale dhe në promovimin e turizmit shqiptar.

“Mbi 60 mijë vizitorë gjatë 5 ditëve të festivalit dhe deri në 25 mijë persona në një natë të vetme, janë shifra që flasin vetë për ndikimin ekonomik dhe turistik gjatë ditëve të UNUM në Shëngjin”, shkroi Rama.

Kreu i qeverisë e cilësoi festivalin një sukses jo vetëm për Shëngjinin dhe Lezhën, por edhe për bizneset lokale që përfituan nga fluksi i lartë i vizitorëve.

“Sukses për Shëngjinin, Lezhën, për bizneset lokale dhe për Shqipërinë turistike që po tërheq gjithnjë e më shumë vizitorë nga e gjithë bota”, theksoi ai.

Festivali UNUM është kthyer vitet e fundit në një nga aktivitetet më të njohura muzikore në rajon, duke tërhequr turistë dhe artistë nga vende të ndryshme të botës dhe duke kontribuar në promovimin e bregdetit shqiptar si destinacion turistik ndërkombëtar.




Comments are closed.