Task-forca Ndërinstitucionale për Sezonin Turistik 2026 është mbledhur për të koordinuar masat dhe veprimet konkrete që synojnë garantimin e mbarëvajtjes së sezonit veror në të gjithë vendin.
Ministri i Turizmit, Kulturës dhe Sportit, Blendi Gonxhja, bëri të ditur se gjatë takimit u diskutuan prioritetet kryesore që lidhen me sigurinë në plazhe, respektimin e distancave të mjeteve lundruese, pastërtinë dhe mbrojtjen e mjedisit në zonat turistike, kontrollin e ndotjes akustike, sigurinë ushqimore, funksionimin e pikave shëndetësore sezonale, si dhe menaxhimin e trafikut dhe fluksit të vizitorëve në pikat kufitare dhe destinacionet bregdetare.
Sipas ministrit, Shqipëria po vijon të regjistrojë rritje të interesit turistik dhe numër më të lartë vizitorësh krahasuar me vitet e mëparshme.
“Shqipëria po përjeton një tjetër vit rekord për turizmin, me rritje të vazhdueshme të numrit të vizitorëve dhe me një interes gjithnjë në rritje për destinacionet tona turistike”, u shpreh Gonxhja.
Ai theksoi se bashkëpunimi ndërinstitucional dhe reagimi i shpejtë ndaj problematikave mbeten elementë kyç për garantimin e një sezoni të suksesshëm.
“Për këtë arsye, bashkëpunimi i ngushtë ndërinstitucional, reagimi i shpejtë ndaj çdo problematike dhe zbatimi me rigorozitet i ligjit mbeten thelbësore për të garantuar një sezon të sigurt, të pastër dhe të suksesshëm për turistët që zgjedhin Shqipërinë”, deklaroi ministri.
Task-forca Ndërinstitucionale do të vijojë monitorimin dhe koordinimin e institucioneve përgjegjëse gjatë gjithë sezonit veror, me synimin për të garantuar siguri, shërbime cilësore dhe mikpritje për turistët vendas dhe të huaj në të gjitha zonat turistike të vendit.