Kryeministri Edi Rama ka përjashtuar mundësinë e dorëheqjes pas protestave të shoqëruara me përplasje dhe dëmtime të institucioneve në Tiranë. Në një përgjigje për agjencinë ndërkombëtare të lajmeve Reuters, ai deklaroi se qeveritë ndryshohen përmes zgjedhjeve demokratike dhe jo përmes dhunës.
Rama theksoi se respekton të drejtën e studentëve për të protestuar dhe për të kërkuar përmirësimin e arsimit, më shumë mundësi dhe llogaridhënie nga institucionet.
“Ne respektojmë studentët e Shqipërisë dhe të drejtën e tyre themelore për të protestuar, për të sfiduar qeverinë e tyre dhe për të kërkuar arsim më të mirë, më shumë mundësi dhe llogaridhënie”, u shpreh kryeministri.
Ai deklaroi se qeveria mbetet e gatshme për dialog dhe për trajtimin e shqetësimeve të ngritura nga studentët.
Duke iu referuar korrupsionit, Rama mbrojti rezultatet e Reformës në Drejtësi, duke pretenduar se Shqipëria po zhvillon një luftë më të fortë kundër këtij fenomeni dhe se zyrtarë e persona me ndikim po përballen me një sistem gjyqësor të pavarur.
Sipas tij, duhet bërë një dallim i qartë mes protestave paqësore dhe akteve të dhunës që kanë shoqëruar demonstratat e fundit.
“Ekziston një dallim i qartë mes protestës paqësore dhe dhunës, mes studentëve dhe banditëve”, deklaroi Rama.
Kryeministri pretendoi se shumica dërrmuese e studentëve nuk janë përfshirë në protesta dhe se incidentet e dhunshme nuk janë organizuar prej tyre.
“Sulmet ndaj institucioneve, shkatërrimi i pronës publike dhe rrezikimi i sigurisë publike nuk kanë asnjë lidhje me kërkesat legjitime të studentëve”, theksoi ai.
Rama hodhi gjithashtu dyshime se pas përshkallëzimit të situatës mund të qëndrojnë forca brenda ose jashtë vendit, të cilat, sipas tij, synojnë të pengojnë përparimin e Shqipërisë drejt Bashkimit Europian. Ai nuk paraqiti prova apo emra konkretë për këto pretendime.
“Nuk do të lejoj që dhuna të devijojë të ardhmen europiane të Shqipërisë. Po ashtu, nuk do të lejoj që zërat legjitimë të studentëve tanë të mbyten nga ata që zgjedhin shkatërrimin”, u shpreh kryeministri.
Në përgjigje të thirrjeve për largimin e tij nga detyra, Rama theksoi se mandati i qeverisë buron nga zgjedhjet dhe se protestat e dhunshme nuk mund të përcaktojnë ndryshimin e pushtetit.
“Sa u përket thirrjeve për dorëheqjen time, qeveritë ndryshohen përmes zgjedhjeve demokratike, dhe ne i zhvilluam ato vitin e kaluar, jo përmes dhunës”, deklaroi ai.
Kryeministri e mbylli reagimin duke theksuar se përgjegjësia e tij është të dëgjojë kërkesat legjitime të qytetarëve dhe të vijojë procesin e integrimit europian.
Sipas Ramës, tërheqja nga ky angazhim do të ishte një tradhti ndaj qytetarëve që i dhanë mandat për të përmbyllur negociatat e anëtarësimit të Shqipërisë në Bashkimin Europian.


