Rama për protestat: Tani është koha të flasim ne, në çdo lagje e fshat

14 Nov 2026 • 14:10
Shpërndaje:

Kryeministri Edi Rama, gjatë fjalës së tij në Asamblenë Kombëtare të Partisë Socialiste, ka komentuar protestat e fundit në vend, duke deklaruar se ka ardhur koha që socialistët të intensifikojnë komunikimin me qytetarët në të gjithë territorin.

Rama iu referua përdorimit të gurëve dhe molotovëve gjatë protestave, ndërsa theksoi se përgjigjja e Partisë Socialiste duhet të jetë prania më e madhe në komunitete dhe dialogu i drejtpërdrejtë me qytetarët.

“I kanë thënë të tëra, i kanë ulëritur të tëra, i kanë shkruar gurët e bulevardit dhe kanë hedhur molotovët që nuk ishin hedhur në 35 vite liri. Por fjala jonë nuk është thënë akoma”, deklaroi kryeministri.

Reklamë Ola

“Tani është koha të flasim ne, në çdo lagje dhe çdo fshat. Të flasim me çdo shqiptar që nuk i frikësohet dialogut”, shtoi ai.

Rama kërkon prani më të madhe të socialistëve në terren

Reklamë InterMedika

Kreu i qeverisë u ndal edhe te nisma “Prania Besnike”, të cilën e cilësoi si një instrument për të njohur më nga afër shqetësimet dhe nevojat e qytetarëve.

“‘Prania Besnike’ e provon se është një nga shtigjet e duhura për të ndjerë nga afër pulsin e çdo komuniteti. Ka ardhur koha e një pranie politike të shtrirë gjerësisht në territor”, u shpreh Rama.

Sipas tij, strukturat e Partisë Socialiste duhet të jenë më aktive në komunikimin me qytetarët, jo vetëm gjatë fushatave zgjedhore, por përgjatë gjithë mandatit qeverisës.

“Mandati nuk është vetëm katërvjeçar, por një mision”

Kryeministri theksoi se mandati i marrë nga qytetarët nuk duhet të shihet thjesht si një periudhë katërvjeçare qeverisjeje, por si një përgjegjësi që kërkon angazhim të vazhdueshëm.

“Një mandat si ky nuk është një mandat katërvjeçar i radhës, është një mision i ngarkuar nga një popull i tërë dhe nuk zhbëhet dot nga askush”, deklaroi ai.

Rama shtoi se mbështetja elektorale nuk i përjashton përfaqësuesit e qeverisë nga detyrimi për të dhënë shpjegime dhe për të dëgjuar shqetësimet e qytetarëve.

“Sa më i fortë mandati, aq më të udhës bëhen dëgjimi i shpeshtë, shpjegimet, gatishmëria e plotë për dialog”, theksoi kryeministri.

Deklaratat u bënë gjatë Asamblesë Kombëtare të PS-së, ku po diskutohen organizimi i strukturave socialiste dhe prioritetet politike në prag të zgjedhjeve vendore të vitit 2027.