Rama: Drejtësia godet edhe brenda PS-së, kjo dëshmon pavarësinë e saj

14 Nov 2026 • 14:00
Shpërndaje:

Kryeministri Edi Rama deklaroi gjatë Asamblesë Kombëtare të Partisë Socialiste se përparimi i Shqipërisë drejt anëtarësimit në Bashkimin Europian është i lidhur ngushtë me reformën në drejtësi dhe funksionimin e institucioneve të pavarura.

Sipas tij, fakti që organet e drejtësisë hetojnë dhe godasin korrupsionin edhe në nivelet më të larta të pushtetit politik, përfshirë përfaqësues të Partisë Socialiste, është dëshmi e pavarësisë së tyre.

“Hyrja në atë faqe nuk bëhet duke u zhytur në korrupsion, por duke krijuar dhe duke mbështetur organe të pavarura drejtësie që luftojnë korrupsionin deri në nivelet më të larta të pushtetit politik”, deklaroi Rama.

Reklamë Ola

Kryeministri kundërshtoi kritikat ndaj qeverisë lidhur me funksionimin e institucioneve të drejtësisë, duke argumentuar se veprimet e tyre ndaj zyrtarëve socialistë tregojnë se pavarësia institucionale është e garantuar.

“Fakti që sot dhe prej kaq vitesh ka organe të pavarura drejtësie që godasin këtu brenda është rrjedhojë e së vërtetës së madhe se këtu është garancia e paprekshmërisë së pavarësisë së drejtësisë”, u shpreh ai.

Reklamë InterMedika

Rama kundërshton akuzat për kufizimin e kritikave ndaj qeverisë

Gjatë fjalës së tij, kreu i qeverisë u ndal edhe te debati mbi lirinë e shprehjes dhe kritikat publike ndaj ekzekutivit.

Ai hodhi poshtë pretendimet se Shqipëria po përparon drejt Bashkimit Europian duke kufizuar zërat kritikë ndaj qeverisë.

“Nuk bëhet hyrja në atë faqe duke u mbyllur gojën kritikëve të qeverisë, se edhe kjo është legjendë urbane”, tha Rama.

Kryeministri pretendoi se pjesa më e madhe e përmbajtjes që publikohet çdo ditë në vend është kritike ndaj qeverisë.

Sipas shifrave të paraqitura prej tij, 60% e përmbajtjes publike është kundër qeverisë, 30% neutrale dhe vetëm 10% në mbështetje të saj.

Rama nuk specifikoi burimin apo metodologjinë mbi të cilën mbështeten këto përqindje.

Deklaratat e kryeministrit u bënë në kuadër të diskutimeve të Asamblesë Kombëtare të PS-së, ku integrimi europian dhe roli i institucioneve shtetërore ishin ndër temat e trajtuara.