Klosi: Koçiu dhe Demo bashkëdrejtues të PS-së në Tiranë

14 Nov 2026 • 18:21
Shpërndaje:

Sekretari i përgjithshëm i Partisë Socialiste, Blendi Klosi, bëri të ditur sot se Albana Koçiu dhe Ervin Demo do të bashkëdrejtojnë strukturat e PS-së në Tiranë, ndërsa Ogerta Manastirliu do të jetë drejtuese politike.

Në një prononcim për mediet pas mbledhjes së Asamblesë Kombëtare të PS-së, Klosi tha se organizimi i ri parashikon ristrukturimin e njësive partiake, nga 61 bashki në 46 njësi, ndërsa mbështetja politike dhe organizative do të vijojë të jetë e njëjtë.

“Sa i përket drejtimit të Tiranës, u propozuan dy bashkëkryetarë, Albana Koçiu dhe Ervin Demo. Në të gjitha 61 bashkitë, që me organizimin e ri do të shkojë në 46, mbështetja partiake do të jetë e njëjtë, do të jetë nga dy bashkëkryetarë”, deklaroi Klosi.

Reklamë Ola

Ai bëri të ditur se mbledhja e Asamblesë u përqendrua te përgatitjet për zgjedhjet vendore dhe platforma “Këshilltari i bashkisë sime”, e cila synon të përfshijë qytetarët në procesin e përzgjedhjes së kandidatëve për këshillat bashkiakë.

“Asambleja ishte për miratimin e platformës “Këshilltari i bashkisë sime”, procesin për fushatën elektorale dhe, natyrisht, për punët tona organizative”, u shpreh ai.

Reklamë InterMedika

Klosi njoftoi se Partia Socialiste ka nisur zyrtarisht përgatitjet për fushatën elektorale, ndërsa platforma do të shtrihet në të gjithë vendin.

“Ne kemi ndërtuar platformën, e cila do të duhet të shtrihet në çdo cep të territorit të Shqipërisë, në çdo zonë urbane dhe rurale, për të përgatitur fushatën elektorale”, tha Klosi.

Sipas tij, procesi do të jetë i hapur edhe për qytetarët që dëshirojnë të kontribuojnë në këshillat bashkiakë, përtej listave të propozuara nga forumet e partisë.

“Jo vetëm listat e përgatitura nga forumet e partisë, por një forum i hapur publik, ku gjithsecili që kërkon të jetë pjesë e kontributit për këshillat bashkiakë, duhet të jetë pjesë e platformës ‘Këshilltari i bashkisë sime’”, deklaroi sekretari i përgjithshëm i PS-së.

I pyetur për Elisa Spiropalin, Klosi u përgjigj se, “Spiropali është anëtare e partisë”.