Rama për projektin e Kushner: Protestat ndihmuan në përmirësimin e tij

13 Oct 2026 • 19:16
Shpërndaje:

Kryeministri Edi Rama ka komentuar projektin e investimit të Jared Kushner në Shqipëri, duke deklaruar se ambicia e qeverisë është që ai të shndërrohet në një model zhvillimi në harmoni me natyrën.

Gjatë konferencës së përbashkët për shtyp në Luksemburg, pas Konferencës së 10-të Ndërqeveritare Shqipëri–BE, Rama ftoi të interesuarit të vizitojnë Shqipërinë për të kuptuar më mirë përmasat dhe synimet e projektit.

“Do t’ju ftoja të vinit në Shqipëri, sepse kur e sheh nga jashtë mund të hutohesh, të ngatërrohesh, dhe po ta shihni me kaq filtra të medias online, do të jeni të paqartë”, u shpreh kryeministri.

Reklamë Ola

Sipas Ramës, investimi i Kushner nuk duhet parë vetëm në lidhje me emrin e investitorit, por edhe me objektivat që synohen të realizohen.

“Projekti i Kushner përfshin shumë më tepër se një emër. Është një projekt për të cilin kemi një ambicie të madhe. Duam ta realizojmë si një model për mënyrën se si të investojmë e si të zhvillojmë në kohët e sotme, në harmoni me natyrën”, deklaroi ai.

Reklamë InterMedika

Rama: Protestat e kanë përmirësuar projektin

Kreu i qeverisë u ndal edhe te protestat dhe reagimet publike kundër investimit, duke pranuar se ato kanë ndikuar në përmirësimin e projektit.

“Edhe manifestimet që janë përcjellë e transmetuar në mbarë botën kanë ndihmuar për ta përmirësuar dhe për ta bërë të ecë drejt rezultateve që do të jenë bindëse për më shumë njerëz sesa në fillim”, tha Rama.

Ai theksoi se rezultatet e projektit mbeten për t’u provuar në praktikë dhe se pret që puna e kryer të bëhet publike.

“Mbetet për t’u provuar dhe bazuar në fakte, ndaj presim me padurim kur do të tregojmë të gjithë punën që po bëhet”, shtoi kryeministri.

Rama për drejtësinë: Askush nuk është mbi ligjin

Gjatë konferencës, Rama u pyet gjithashtu nga një gazetar lidhur me një arrestim të pretenduar të drejtueses së SHISH-it, Vlora Hyseni.

Pa dhënë hollësi për rastin konkret, kryeministri u përqendrua te funksionimi i sistemit të drejtësisë dhe lufta kundër pandëshkueshmërisë.

“Kjo tregon se sistemi ka nisur të funksionojë. Kur e nisëm këtë rrugëtim, në këtë vend njiheshim si ‘atdheu i kulturës së pandëshkueshmërisë’”, deklaroi Rama.

Sipas tij, Shqipëria ka bërë përparim në forcimin e institucioneve të drejtësisë dhe në luftën kundër korrupsionit.

“Kultura e pandëshkueshmërisë ka mbaruar dhe askush nuk është mbi ligjin. Ai dje ishte sistem i kontrolluar nga korrupsioni dhe sot lufton korrupsionin. Kështu duhet të ecim ne përpara”, përfundoi kryeministri.