Rama për integrimin në BE: Jemi drejt mbylljes së kapitujve, por datën nuk e di askush

29 Sep 2026 • 14:39
Shpërndaje:

Kryeministri Edi Rama ka folur për ecurinë e procesit të integrimit të Shqipërisë në Bashkimin Europian, duke deklaruar se puna me Komisionin Europian vijon dhe se vendi po ecën drejt mbylljes së kapitujve të negociatave.

I pyetur për kontaktet me Komisioneren Europiane për Zgjerimin, Marta Kos, Rama tha se komunikimi është i vazhdueshëm dhe se procesi po ecën përpara.

“Jemi në kontakt, vazhdojmë të punojmë, jemi drejt rrugës së mbylljes së kapitujve”, u shpreh kryeministri.

Reklamë Ola

Megjithatë, Rama theksoi se nuk mund të përcaktohet një datë e saktë se kur do të përfundojë procesi, pasi avancimi drejt anëtarësimit varet nga puna e përditshme dhe zhvillimet gjatë negociatave.

“Se kur do të ndodhë, askush s’mund ta dijë. Askush nuk vendos një datë me BE, ideja është të vazhdosh të ecësh çdo ditë”, tha ai.

Reklamë InterMedika

Shqipëria ka hyrë tashmë në fazën e mbylljes së kapitujve. Në korrik u mbyllën provizorisht tre kapitujt e parë: Kapitulli 25 “Shkenca dhe Kërkimi”, Kapitulli 26 “Arsimi dhe Kultura” dhe Kapitulli 30 “Marrëdhëniet me Jashtë”.

Duke folur për perspektivën europiane, Rama përdori edhe nota humori, duke u shprehur në favor të një Bashkimi Europian më të madh.

Kryeministri tha se do të mirëpriste në Union edhe Kanadanë, Australinë dhe Meksikën, ndërsa me batutë përmendi edhe presidentin amerikan Donald Trump.

“Pres çdo vend të bëhet pjesë e BE. Edhe presidenti Trump është i mirëpritur”, u shpreh Rama.

Kryeministri e përshkroi gjithashtu qasjen e tij ndaj procesit të integrimit me shprehjen që ka përdorur edhe më parë, duke thënë se shqiptarët duhet të jenë “tragjikisht optimistë” për rrugën drejt Bashkimit Europian.