Kryeministri Edi Rama ka folur për investimet në turizmin luksoz në Shqipëri, duke veçuar projektet e parashikuara në ishullin e Sazanit dhe në zonën e Zvërnecit, të cilat sipas tij mund të arrijnë një vlerë të kombinuar prej mbi 6 miliardë eurosh.
Deklaratat u bënë gjatë intervistës së Ramës në Euronews Travel & Tourism Summit 2026 në Bruksel, ku kryeministri ishte mes folësve kryesorë të aktivitetit.
Rama tha se Shqipëria duhet të krijojë më shumë hapësira për zhvillimin e turizmit të nivelit të lartë dhe se investimet mund të realizohen përmes formave të ndryshme të financimit, nga kapitali i huaj te sipërmarrjet e përbashkëta dhe partneritetet mes sektorit publik dhe privat.
“Duhet të krijojmë kushte për turizmin luksoz. Mund të jetë 100% kapital i huaj, mund të jetë sipërmarrje e përbashkët, mund të jetë partneritet privat-publik, mund të jenë kompani shqiptare që bëhen pjesë”, deklaroi Rama.
Sipas kryeministrit, edhe kompani shqiptare kanë arritur tashmë një nivel që u mundëson të përfshihen në projekte të turizmit të nivelit të lartë, veçanërisht në zhvillimin e hoteleve luksoze.
Duke u ndalur te Sazani dhe Zvërneci, Rama tha se qeveria është në përpjekje për të sjellë atë që ai e cilësoi si investimin më të madh në turizëm në Europë prej shumë vitesh.
“Sot ne jemi në përpjekje për të sjellë investimin më të madh në Europë prej shumë vitesh në turizëm, që kombinuar midis ishullit të Sazanit dhe gadishullit të Zvërnecit, mund të arrijë në më shumë se 6 miliardë”, tha kryeministri.
Projektet e zhvillimit të lidhura me Sazanin dhe zonën e Vjosa-Nartës kanë qenë gjithashtu objekt debati publik dhe kundërshtimesh, përfshirë shqetësime lidhur me ndikimin mjedisor.
Rama argumentoi se interesi i investitorëve të mëdhenj lidhet me hapjen e Shqipërisë ndaj investimeve dhe me mundësitë që, sipas tij, ofron vendi për realizimin e projekteve të mëdha.
“Po ndodh sepse jemi hapur si vend, sepse njerëzit po shikojnë ku janë mundësitë, sepse Shqipëria ka kushtet për të punuar me investuesit e mëdhenj në mënyrë serioze dhe profesionale”, u shpreh ai.
Kryeministri tha se synimi është që Shqipëria të krijojë një profil më të fortë në tregun europian të turizmit, duke e përshkruar ambicien si dëshirën për të qenë “një copëz e vogël që shkëlqen në të gjithë mozaikun e Europës”.


