Rama nga Samiti i Turizmit: Shqipëria tashmë tërheq vizitorë nga e gjithë bota

29 Sep 2026 • 14:45
Shpërndaje:

Kryeministri Edi Rama ka prezantuar potencialin turistik të Shqipërisë në Euronews Travel & Tourism Summit 2026 në Bruksel, duke deklaruar se ambicia e vendit është të zgjerojë më tej tregun ndërkombëtar dhe të tërheqë vizitorë nga e gjithë bota. Rama ishte një prej folësve kryesorë të samitit, në një intervistë me gazetaren Maria Tadeo.

I pyetur se përse turistët duhet të zgjedhin Shqipërinë, Rama u përgjigj me humor: “Sepse të gjithë e vizitojnë Shqipërinë. Nëse nuk viziton Shqipërinë, je ndër të paktët që nuk e viziton”.

Kryeministri tha se vendi po kalon një transformim të rëndësishëm në sektorin e turizmit, pas dekadash gjatë të cilave Shqipëria ishte një nga vendet më të izoluara të Europës.

Reklamë Ola

“Kur Kroacia ishte destinacion, ne ishim vendi më i izoluar i Europës, ishim Koreja e Veriut e Europës. Pasi dolëm nga ai ferr, u përballëm me stereotipe shqetësuese. Tani ka ardhur radha jonë”, deklaroi Rama.

I pyetur se cili është tregu që Shqipëria synon të tërheqë, përgjigjja e kryeministrit ishte e drejtpërdrejtë: “Bota”.

Reklamë InterMedika

Rama renditi sigurinë, mikpritjen, gastronominë dhe larminë natyrore mes avantazheve kryesore të Shqipërisë. Sipas tij, territori relativisht i vogël u jep turistëve mundësinë që brenda një kohe të shkurtër të përjetojnë bregdetin, lumenjtë, malet dhe destinacione të ndryshme kulturore.

Kryeministri u ndal edhe te rritja e numrit të vizitorëve, duke deklaruar se në fillimet e transformimit Shqipëria numëronte rreth 2 milionë turistë, përfshirë shqiptarët, ndërsa vitin e kaluar arriti në rreth 12 milionë vizitorë të huaj.

Të dhënat e UN Tourism të cituara nga Euronews tregojnë se Shqipëria regjistroi 11.9 milionë mbërritje ndërkombëtare në vitin 2025, ose 93.6% më shumë se në vitin 2019, duke u renditur mes destinacioneve europiane me rritje të shpejtë.

Rama theksoi se profili i turistëve që vizitojnë vendin është gjithnjë e më i larmishëm, duke përmendur vizitorë nga Japonia, Australia, Kina dhe Izraeli, krahas turistëve europianë.

“Objektivi ynë është bota”, përsëriti kryeministri, duke e lidhur zhvillimin e mëtejshëm të sektorit me investimet dhe ndryshimin e imazhit ndërkombëtar të Shqipërisë.

Qeveria ka vendosur si objektiv arritjen e 20 milionë vizitorëve, ndërsa Rama ka deklaruar se fokusi nuk duhet të jetë vetëm te rritja e numrit, por edhe te investimet cilësore dhe turistët që krijojnë më shumë vlerë për ekonominë.