Rama për dhunën në protesta: Pas maskave nuk ka studentë

19 Oct 2026 • 08:52
Shpërndaje:

Kryeministri Edi Rama akuzoi parti politike dhe media se po mbështesin dhunën gjatë protestave, ndërsa deklaroi se personat që sulmojnë policinë dhe institucionet nuk përfaqësojnë studentët apo të rinjtë që kërkojnë një Shqipëri më të mirë.

Gjatë një deklarate përpara forcave të Policisë së Shtetit, Rama tha se efektivët po përballen njëkohësisht me sulme fizike dhe me sulme nga ekranet televizive.

“Është fatkeqësi kombëtare shumë e madhe që forcat e policisë, që janë për të mbrojtur shtetin, janë jo vetëm nën sulmin e gurëve, por edhe nën sulmin e ekraneve. Kjo është rrënqethëse”, u shpreh ai.

Reklamë Ola

Kryeministri i krahasoi ngjarjet me protestat në Francë, Itali, Belgjikë dhe Portugali. Sipas tij, ndryshe nga Shqipëria, në këto vende partitë politike nuk kanë mbështetur autorët e dhunës apo sulmet ndaj institucioneve.

Rama përdori gjuhë të ashpër ndaj personave të përfshirë në akte të dhunshme, duke i cilësuar si njerëz që kërkojnë rrëmujë dhe kaos.

Reklamë InterMedika

“Pas të cilëve nuk ka studentë, nuk ka të reja e të rinj që duan një Shqipëri më të mirë”, deklaroi ai, duke iu referuar personave të maskuar.

Ai i akuzoi këta persona për përdorimin e molotovëve dhe llastiqeve me vida kundër punonjësve të policisë, si dhe për sulme ndaj dyqaneve, duke theksuar pasojat për familjet që sigurojnë jetesën përmes këtyre bizneseve.

Në vijim, Rama pretendoi se të rinj nga periferitë po përdoren nga forca të tjera, të cilat i cilësoi si “armiq të Shqipërisë”, pa identifikuar konkretisht se kujt i referohej.

Kryeministri tha gjithashtu se këta të rinj kanë nevojë për mbështetje psikologjike dhe trajtim nga shoqëria, ndërsa e lidhi gjendjen e tyre edhe me ndikimin e modeleve të pasurimit dhe jetës luksoze që shfaqen në internet.