Kryeministri Edi Rama ka reaguar sërish ndaj vendimit të Dhomave të Specializuara në Hagë për katër ish-krerët e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, duke e cilësuar dënimin e tyre me 81 vite burg në total si një “varrosje për së gjalli”.
Gjatë takimit me komunitetin shqiptar në Miçigan, Rama tha se e kishte pasur të vështirë të gjente fjalët për t’iu drejtuar publikut pas vendimit ndaj Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Jakup Krasniqit dhe Rexhep Selimit.
“Dua t’ju them që, si rrallëherë, jam përpëlitur sa këtë herë duke rreshtuar fjalët e një fjalimi, sepse as kisha si ta shmangia atë që ndodhi në Hagë përpara disa ditësh, por edhe nuk gjeja rrugën se si t’i qasesha atij guri të madh e të rëndë, përballë të cilit, për hir të së vërtetës, fjalët duken të kota, njësoj si në një mort”, deklaroi Rama.
Kryeministri e përshkroi vendimin si një “mort për së gjalli” dhe shprehu atë që e cilësoi si pafuqi kombëtare përballë një padrejtësie ndërkombëtare.
“Një mort për së gjalli në këtë rast, një varrosje njerëzish të gjallë dhe një pafuqi kombëtare përballë një marreje ndërkombëtare”, tha ai.
Rama u ndal edhe te parimi i respektimit të vendimeve të gjykatave, duke theksuar se ky detyrim nuk duhet të pengojë kundërshtimin publik dhe institucional të vendimit.
“Ka një fjali që na e përsërisin shpesh dhe që e përsërisim shpesh: ‘Respektoni vendimin e gjykatës. Vendimet e gjykatave duhen respektuar. Shteti i së drejtës dhe bota demokratike funksionojnë mbi respektin për vendimet e gjykatave’. Dhe ne nuk e diskutojmë këtë”, u shpreh kryeministri.
Megjithatë, ai shtoi se respektimi i vendimit nuk do të thotë pranimi në heshtje i tij.
“Jo vetëm vendimin e gjykatës, por edhe vetë vdekjen në heshtje e pranon vetëm ai që vdes. Problemi në këtë rast nuk është të mos respektosh vendimin e gjykatës. Problemi është si ta refuzosh varrosjen për së gjalli të katër njerëzve në emër të popullit, kur vetë populli nuk e gjen askund veten në atë vendim, të dhënë jo thjesht në gjuhë të huaj, por edhe në një tëhuajsim të vetë drejtësisë”, deklaroi Rama.
Sipas kreut të qeverisë, Shqipëria nuk mund të bëjë më shumë sesa të mbështesë Kosovën dhe vendimet që institucionet e saj do të marrin për të kundërshtuar aktgjykimin.
“Natyrisht që Shqipëria në këtë mes nuk mund të bëjë asgjë më shumë sesa t’i qëndrojë në krah Kosovës, sido që të zgjedhurit e popullit të saj do të vendosin ta refuzojnë varrosjen për së gjalli të atyre katër burrave”, tha ai.
Rama theksoi se respektimi i detyrueshëm i vendimit të gjykatës nuk e përjashton kundërshtimin e tij dhe përdorimin e mundësive ligjore për ta ndryshuar.
“Besoj se respektimi i detyruar dhe i padiskutueshëm i atij vendimi të gjykatës nuk e pengon kurrsesi refuzimin e asaj varrosjeje si një fatalitet pa apel”, përfundoi kryeministri.


