Rama njofton hapjen e Konsullatës së Përgjithshme në Miçigan: Shqipëria duhet të jetë pranë jush

21 Sep 2026 20:31
Shpërndaje:

Kryeministri Edi Rama ka njoftuar se Shqipëria do të hapë së shpejti një Konsullatë të Përgjithshme në Miçigan, e cila do t’u shërbejë shqiptarëve që jetojnë në këtë shtet dhe në zonat përreth.

Lajmi u bë i ditur gjatë takimit të kreut të qeverisë me komunitetin shqiptaro-amerikan. Rama tha se vendimi është marrë në përgjigje të një kërkese të diasporës, duke theksuar se shteti shqiptar duhet të jetë më pranë qytetarëve që jetojnë jashtë vendit.

“Dua t’ju jap një lajm të mirë, sepse kam dëgjuar një kërkesë nga ky komunitet dhe Ministria për Evropën dhe Punët e Jashtme së shpejti do të hapë konsullatën shqiptare këtu. Besoj se është vendimi i duhur dhe i merituar, sepse, siç po bëja shaka me Franin sot, ju arritët ta bëni këtë qytet amerikan një fshat të madh shqiptar”, tha Rama.

Reklamë Ola

Sipas kryeministrit, konsullata do të shërbejë si pikë kontakti për çështjet konsullore dhe do ta afrojë më shumë shtetin shqiptar me një nga komunitetet më të mëdha shqiptaro-amerikane.

“Përtej shakasë, që është më shumë se gjysma e së vërtetës, Shqipëria duhet të jetë pranë jush kur ju keni nevojë për të dhe Shqipëria duhet të ketë një derë këtu, ku ju të trokisni për të gjitha çështjet konsullore”, u shpreh ai.

Reklamë InterMedika

Gjatë fjalës së tij, Rama u ndal gjerësisht te roli që diaspora ka luajtur ndër vite në zhvillimin ekonomik dhe shoqëror të Shqipërisë. Ai kujtoi Samitin e parë të Diasporës, të organizuar në Tiranë në nëntor të vitit 2016, duke thënë se në atë kohë synimi ishte krijimi i mekanizmave që do ta lidhnin më fort komunitetin shqiptar jashtë vendit me institucionet e atdheut.

“Kur ne e nisëm takimin e madh të diasporës, në nëntor të vitit 2016 në Tiranë, ishte një rrugë që e ndamë me mikun tim Hashim Thaçi. Diaspora deri atëherë ishte një det i madh energjie, por pa një port ku të ankoroheshin mundësitë dhe ambiciet e njerëzve tanë jashtë Shqipërisë”, deklaroi Rama.

Kryeministri vlerësoi kontributin financiar të emigrantëve shqiptarë, duke theksuar se dërgesat e tyre nuk kanë qenë thjesht transferta parash, por mbështetje e drejtpërdrejtë për arsimimin, shëndetin, strehimin dhe krijimin e bizneseve në Shqipëri.

“Ju nuk dërgonit thjesht para, por dërgonit shkollën e fëmijëve, ilaçet e prindërve, tjegullat e shtëpisë dhe kapitalin e parë të një biznesi që lindte i vogël e më pas rritej. Me fjalë të tjera, ju dërgonit shpresën në kushtet e mbijetesës”, tha ai.

Sipas Ramës, rreth 90% e familjeve shqiptare kanë përfituar të paktën një herë nga dërgesat e diasporës. Ai shtoi se nëntë në dhjetë shqiptarë janë shkolluar, kanë përmirësuar kushtet e banimit ose kanë përballuar nevoja të rëndësishme falë ndihmës së të afërmve jashtë vendit.

Megjithatë, kryeministri theksoi se marrëdhënia e Shqipërisë me diasporën nuk duhet të kufizohet vetëm te remitancat, nostalgjia dhe lidhjet familjare.

“Diaspora nuk është një llogari bankare e atdheut, por është përvojë dhe rrjet, jo vetëm zemrash, por edhe mendjesh. Është qytetari dhe një fuqi e madhe”, deklaroi ai.

Rama tha se gjatë dhjetë viteve të fundit janë krijuar mekanizma të rinj për forcimin e kësaj marrëdhënieje, ndërsa dixhitalizimi i shërbimeve përmes platformës e-Albania u ka mundësuar qytetarëve jashtë vendit të komunikojnë me institucionet pa pasur nevojë të udhëtojnë drejt Shqipërisë.

“Në këto dhjetë vite janë krijuar kushtet që, nëpërmjet sistemit tonë dixhital e-Albania, njerëzit jashtë vendit të mund të kenë akses te institucionet dhe zyrtarët shqiptarë pa iu dashur të kthehen. Vij këtu me bindjen se ajo që nisëm atëherë ka dhënë fryte dhe ka krijuar premisa për të dhënë edhe më shumë”, u shpreh kryeministri.

Në fund, Rama përmendi edhe votimin e diasporës, duke theksuar se në zgjedhjet e fundit parlamentare shqiptarët jashtë vendit patën për herë të parë mundësinë të votonin nga vendet ku jetojnë.

“Vjet patët mundësinë për herë të parë të votonit jashtë atdheut për zgjedhjet parlamentare të Shqipërisë. Ishte hera e parë që fletët e votimit kaluan oqeanin dhe kontrata e shqiptarëve u lidh përtej kufijve të Shqipërisë”, përfundoi Rama.