Kryeministri Edi Rama ka reaguar sërish për debatin mbi pagat e magjistratëve dhe financimin e sistemit të drejtësisë, këtë herë duke komentuar një deklaratë të gjyqtarit Engert Pëllumbi.
Rama publikoi në rrjetet sociale një fotografi ku shfaqej qëndrimi i gjyqtarit për buxhetin e gjyqësorit.
“Ne kemi qesen tonë të buxhetit. Nuk po marrim nga qeset e të tjerëve. Me pak fjalë, nuk po na lejohet të marrim nga qesja jonë”, citohet të ketë deklaruar Pëllumbi.
Kryeministri e kundërshtoi këtë mënyrë të interpretimit të pavarësisë financiare të sistemit të drejtësisë, duke theksuar se buxheti duhet parë si pjesë e financave të përbashkëta të shtetit.
“E pabesueshme, po e vërtetë që një gjykatës e kupton kështu pavarësinë dhe e shikon kështu buxhetin e shtetit shqiptar…”, shkroi Rama.
Reagimi vjen ndërsa vijon përplasja mes qeverisë dhe përfaqësuesve të drejtësisë për nivelin e pagave të gjyqtarëve dhe prokurorëve, si edhe për mënyrën e financimit të kërkesave të tyre nga buxheti i shtetit.


