Politikani francez i së majtës, Jean-Luc Mélenchon, ka akuzuar kryeministrin izraelit Benjamin Netanyahu se ka shkaktuar një varg zhvillimesh katastrofike në Lindjen e Mesme, me pasoja jo vetëm për Izraelin, por edhe për aleatët e tij perëndimorë.
Në një postim në platformën “X”, Mélenchon komentoi avancimin e Houthive në zonën e Detit të Kuq dhe ndikimin që ky zhvillim mund të ketë në rrugët ndërkombëtare të transportit.
Sipas tij, marrja e kontrollit nga Houthit mbi pikat strategjike që lidhen me hyrjen drejt Kanalit të Suezit ndryshon ndjeshëm ekuilibrat rajonalë.
“Fitorja e Houthive, aleatëve të Iranit, duke marrë kontrollin e aksesit në Kanalin e Suezit, riformëson shumë më gjerësisht sesa thjesht ekuilibrin lokal të pushtetit”, shkroi Mélenchon.
Ai e lidhi përshkallëzimin në rajon me politikat e qeverisë izraelite dhe kritikoi mbështetjen që vendet evropiane dhe Shtetet e Bashkuara i kanë dhënë Netanyahut.
“Netanyahu ka arritur të shkaktojë një seri ngjarjesh katastrofike për vendin e tij, aleatët e tij dhe perandorinë amerikane”, deklaroi politikani francez.
Mélenchon paralajmëroi se ndërprerjet e mundshme në rrugët e furnizimit do të sjellin kosto të larta për ekonomitë evropiane, për shkak të rëndësisë së Detit të Kuq dhe Kanalit të Suezit për tregtinë ndërkombëtare.
“Bllokadat e furnizimit të vendosura në këtë mënyrë do t’u kushtojnë shtrenjtë evropianëve. I tillë është çmimi për mbështetjen e tyre të pakushtëzuar ndaj politikave të Netanyahut dhe nënshtrimin e tyre ndaj Trumpit”, shtoi ai.
Jean-Luc Mélenchon është një kritik i vazhdueshëm i qeverisë izraelite dhe i politikës së jashtme perëndimore në Lindjen e Mesme. Ai ka kundërshtuar gjithashtu varësinë strategjike të Evropës nga Shtetet e Bashkuara.
Politikani francez synon të kandidojë në zgjedhjet presidenciale të vitit 2027 dhe ka premtuar se, në rast fitoreje, do ta tërheqë Francën nga NATO.


