Rama: Në 20 korrik mbledhim Kongresin Zgjedhor të PS-së
Kryeministri Edi Rama, njëherësh kryetar i Partisë Socialiste, bëri të ditur sot se Kongresi Zgjedhor i PS-së do të mblidhet në 20 korrik.
Në fokus të mbledhjes së Asamblesë Kombëtare të PS-së është procesi i rienergjizimit dhe organizimi i Kongresit Zgjedhor të PS-së.
Rama theksoi se “arsyeja kryesore e kësaj mbledhje është që pas përfundimit të procesit tëë zgjedhjeve për Kongresin të miratojmë vendimin për thirrjen e Kongresit Zgjedhor të PS-së në 20 korrik”.
“Aktualisht mund të jemi të inkurajuar nga fakti që në këtë proces rinenergjizimi të partisë kemi pasur një rritje domethënëse të anëtarësisë reale, që do të thotë të anëtarësisë aktive. Ndërkohë që kemi pasur po ashtu edhe një pjesëmarrje domethënëse në zgjedhjet që u zhvilluan me parimin ‘një anëtar, një votë’ për delegatëtët e Kongresit të ardhshëm të PS-së”, tha Rama.
Kryeministri theksoi se nga procesi i rienergjizimit dhe nga një riqëmtimi total i të gjithë anëtarësisë së PS-së ka 93 mijë anëtarë të regjistruar dhe të identifikuar si të tillë në territorin e Republikës së Shqipërisë.
“Pa llogaritur 7 mijë të tjerë që i janë bashkëngjitur PS-së pas mbylljes së këtij regjistrimi në funskion të zgjedhjeve për delegatët e Kongresit. Nga 93 mijë anëtarë të regjistruar dhe identifikuar si aktivë në territorin e Shqipërisë kemi pasur një proces ku 78.6% e trupës së anëtarëve të regjistruar mori pjesë në zgjedhje, ose 79 350 anëtarë. Shifra më e lartë e pjesëmarrjes që kemi pasur në këto lloj procesesh. Por duhet të mbajmë parasysh që në rastin e anëtarësisë së partisë nuk është e njëjta gjë si në rastin e zgjedhjeve të përgjithshme, sepse duhet ta marrim të mirëqenë se çdo anëtar partie e ka detyrë për të qenë pjesëmarrës aktiv në proceset zgjedhore ku është i ftuar. Por rezultati i përgjithshëm është shumë pozitiv”, tha Rama.







