Kryeministri Edi Rama i kërkoi Bashkimit Europian një qasje më të shpejtë politike ndaj zgjerimit, duke argumentuar se vendimet për vendet kandidate nuk duhet të lihen për në fund të procesit.
Duke folur në Konferencën Ndërparlamentare “Agjenda strategjike për zgjerimin e BE-së dhe anëtarësimin e Shqipërisë”, Rama tha se vendimet politike mund të merren që tani, ndërsa përfitimet e secilit vend duhet të varen më pas nga reformat dhe përmbushja e kritereve. Konferenca mbledh në Tiranë përfaqësues të institucioneve shqiptare, Parlamentit Europian dhe parlamenteve të vendeve europiane. RTSH
Kryeministri solli si shembull ribashkimin e Gjermanisë pas rënies së Murit të Berlinit, duke iu referuar ish-kancelarit Helmut Kohl. Sipas Ramës, në atë moment nuk u kërkua fillimisht plotësimi i një liste të gjatë kushtesh, por u dha mesazhi politik se “ne jemi bashkë”.
“Çfarë mund të ndryshojë dhe lehtësojë është që vendimet politike të mos lihen në momentin e fundit. Të merren tani dhe më pas të plotësohen proceset sipas meritave”, u shpreh Rama.
Për të shpjeguar idenë e tij për integrimin gradual, kryeministri përdori edhe një metaforë me familjen e Presidentes së Komisionit Europian, Ursula von der Leyen, duke e krahasuar Europën me një familje ku vendet kandidate duhet të jenë të gjitha “rreth së njëjtës tavolinë”.
“Ka një koincidencë këtu, shtatë fëmijë ka Ursula dhe BE-ja ka shtatë kandidatë”, tha Rama, duke argumentuar se kandidatët duhet të jenë pjesë e familjes europiane edhe nëse nuk kanë të njëjtën peshë apo të njëjtat të drejta në çdo fazë të procesit.
Rama e çoi më tej metaforën, duke thënë se von der Leyen nuk do t’u kërkonte fëmijëve të saj të largoheshin nga tavolina për të kaluar kohë me “gangsterin rus” apo për të luajtur me “lodrat kineze”. Mesazhi i tij ishte se lënia për një kohë të gjatë e vendeve kandidate jashtë strukturave europiane mund t’i ekspozojë ato ndaj ndikimeve të tjera.
Sipas kryeministrit, një zgjidhje mund të jetë integrimi gradual sipas meritës: kur një vend plotëson kërkesat në një fushë të caktuar, të mund të përfitojë nga të drejtat që lidhen me atë fushë, edhe përpara anëtarësimit të plotë.
“Nëse ti plotëson një kapitull, je anëtar për atë kapitull. Nëse nuk ke plotësuar një tjetër kapitull, je si fëmija i Ursulës që nuk është rritur ende”, tha Rama.
Kryeministri argumentoi se Europa nuk duhet të kujtohet për nevojën e unitetit vetëm kur përballet me kriza, sulme apo valë migracioni. Sipas tij, afrimi i vendeve kandidate duhet të shihet si një vendim strategjik dhe jo vetëm si një proces teknik i plotësimit të kapitujve.
Mesazhin për drejtuesit europianë Rama e përmbylli me një referencë ndaj sloganit të njohur të Nike: “Bëjeni!”
Deklaratat vijnë në një moment kur debati për përshpejtimin e zgjerimit është rikthyer në qendër të axhendës europiane. Komisioni Europian po punon për një qasje më të qartë për kandidatët më të avancuar, ku Shqipëria përmendet mes vendeve për të cilat po shqyrtohen hapa dhe afate më të përcaktuara drejt përfundimit të negociatave.


