×
Sunday, April 2, 2023

Rama: Mandati i tretë, për të bërë përfundimisht të pakthyeshëm çdo proces transformimi

March 24, 2021



Kryeministri Edi Rama deklaroi sot, në prezantimin e skuadrës së Partisë Socialiste për Tiranën se, “mandati i tretë i duhet patjetër vendit për të bërë përfundimisht të pakthyeshëm çdo proces transformimi”.

Rama shprehu bindjen që PS ka kapacitete qeverisëse të plota dhe të shtuara në gjithë këtë periudhë kohe kur ka drejtuar vendin prej më shumë se 7 vitesh dhe kur kërkon të ketë një mandat të tretë që i duhet patjetër vendit, për të bërë përfundimisht të pakthyeshëm çdo proces transformimi.

“Për të mos përsëritur historinë e cila në të shkuarën në më shumë se një rast ka treguar se kur drejtimi shkon në krahun e atyre që janë përballë nesh, gjërat për vendin nuk shkojnë në drejtimin e duhur. Eksperiencat e mëparshme janë kuptimplota për të gjithë ata që duan t’i shohin e t’i lexojnë ato pa tifozllëk e pa atë anësinë paragjykuese, që dikton të qenit palë në gjykimin e këtij procesi”, tha ai.

Pa diskutim, vijoi Rama, “që ne jemi të vetëdijshëm, po ashtu se shumëçka mund të ishte bërë ndryshe”.

“Patjetër që në këtë rrugë edhe ne kemi bërë gabimet tona, disa të paevitueshme, disa ndoshta të evitueshme, disa i dimë, disa ndoshta nuk i dimë, por është e sigurt që në tërësinë e tyre, punët tona kanë qenë e mbeten punë që janë në shërbim të përparimit të vendit dhe është e sigurt që vendi sot është pakrahasimisht më i përparuar sesa ishte kur ne morëm detyrën”, tha ai.

Sigurisht, vijoi Kryeministri, “që nëse e shohim vendin sot me sytë e të ardhmes, jemi ende larg asaj pike ku ne duam dhe mund të mbërrijmë për ta lënë pastaj stafetën tek të tjerë, por duke pasur parasysh se nga jemi nisur, është e padyshimtë që zgjedhja është shumë e qartë edhe për faktin se ndërkohë që ne në këtë proces kemi vazhduar të bëjmë përpjekje të sinqerta dhe përpjekje serioze për t’u ripërtërirë, për t’u energjizuar, për t’u adoptuar me kohën, për të vazhduar të jemi në lartësinë e pritshmërisë së qytetarëve, nga ana tjetër kemi një skuadër e cila është një konglomerat materialesh të konsumuara të të shkuarës dhe faktikisht është e paimagjinueshme ta mendosh që Shqipëria mund të ribjerë në duart e atij konglomerati njerëzish që e kanë bërë historinë e tyre, e kanë lënë gjurmën e tyre, shumë më shumë për keq, sesa për mirë, kur kanë pasur mundësi të marrin përsipër një detyrë. Ndërkohë që ajo që sot i duhet vendit është as më shumë e as më pak, por vazhdimi me edhe më shumë energji, me edhe më shumë forcë, me edhe më shumë kurajë, me edhe më shumë përkushtim dhe vendosmëri i të gjitha reformave dhe i të gjitha punëve të nisura”.

Kemi bërë shumë, tha Kryeministri, “por ka shumë për të bërë, por ka dhe shumë për të humbur vendi në këto zgjedhje e për këtë arsye, beteja jonë është kaq e rëndësishme për vendin dhe është kaq e rëndësishme për të ardhmen, e madje është shumë më e rëndësishme për vendin e për të ardhmen sesa për të gjithë ne që jemi këtu në nivelin personal”.

“Unë do ia kaloja fjalën Ogertës, e cila besoj që na ka përfaqësuar denjësisht në një detyrë që ka qenë pa diskutim detyra më e vështirë e kësaj periudhe, detyra më e vështirë që dikush mund të kishte mbi supe në këtë kohë pandemie në krye të sektorit të shëndetësisë, në krye të një sfide të jashtëzakonshme, ku nuk pati vend sado të zhvilluar që nuk u sprovua deri në fund, dhe ku nuk pati vend sado të zhvilluar që nuk njohu vështirësi të paimagjinueshme për vetveten, duke patur parasysh nivelin e zhvillimit dhe besoj që deri tani që flasim, falë drejtimit të sektorit nga Ogerta, e sigurisht pa diskutim falë punës së jashtëzakonshme të bërë nga gjithë skuadrat e mjekëve, të infermierëve, të ekspertëve, të të gjitha pjesëve të sistemit shëndetësor, ne ia kemi dalë që të qëndrojmë në një ekuilibër të arsyeshëm”, tha ai.

Rama tha se, “me procesin e vaksinimit që do të vazhdojë të intensifikohet, falë edhe disa marrëveshjeve të tjera që ne kemi në proces. Jam i bindur që ne do t’ia dalim dhe në ambicien për ta bërë këtë sezon turistik më të lehtë, pikërisht duke vaksinuar shumë njerëz dhe duke këputur në shumë pjesë zinxhirin e infektimeve, ndërkohë që mbetemi të bindur dhe optimistë që objektivi shumë ambicioz për ta përfunduar krejt procesin e vaksinimit deri në pranverën e ardhshme është një objektiv i arritshëm e ne do t’ia dalim që ta realizojmë”.

Eunews.al

0 0 votes
Article Rating


Ndiqe
Me lajmëro për
guest
0 Comments
Inline Feedbacks
View all comments