Kryeministri Edi Rama deklaroi se dhuna gjatë protestave të ditëve të fundit nuk ka lidhje me kërkesat për arsimin, duke e dalluar situatën aktuale nga protestat studentore të vitit 2018.
Në një deklaratë me ministrin e Punëve të Brendshme, Ervin Demo, dhe efektivë të Policisë së Shtetit, Rama vlerësoi qëndrimin e forcave të rendit, të cilat, sipas tij, kanë treguar vetëpërmbajtje maksimale.
“Kjo nuk është një revoltë për arsimin. Revoltë për arsimin ishin ato të vitit 2018, kur e bllokuan Tiranën me ditë dhe me javë. Ishin paqësorë dhe kishin kërkesa për universitetin”, u shpreh kryeministri.
Ai tha se në atë periudhë u deshën durim dhe qetësi për të arritur dialogun me studentët. Rama shtoi se mund të ketë ende çështje për t’u zgjidhur në universitete dhe shprehu gatishmërinë për t’i diskutuar ato.
Kreu i qeverisë kundërshtoi identifikimin si studentë të personave që përfshihen në dhunë apo e mbështesin atë, pavarësisht nëse janë të regjistruar në shkollë.
“Si mund të jenë studentë ata që admirojnë gurin dhe të tjerët i duartrokasin kur digjen policët dhe bizneset e vogla? Si mund të jenë studentë ata që duartrokasin shkuljen e automatëve dhe djegien e bankave?”, deklaroi ai.
Rama i cilësoi autorët e dhunës si “huliganë” të ekstremizuar, duke pretenduar se veprimet e tyre synojnë përmbysjen e vullnetit të qytetarëve.
Ai kritikoi gjithashtu analistë dhe intelektualë për qëndrimet e mbajtura në ekranet televizive, të cilat, sipas tij, shtojnë presionin ndaj policisë.
“E gjithë kjo e bën qëndresën tuaj jo vetëm të rëndësishme, por edhe dinjitoze përballë këtij presioni”, u tha Rama efektivëve.


